Reagon Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës

Futboll

Reagon Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës

Më: 12 prill 2020 Në ora: 15:58
Reagon Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës (ShMDFK) përgëzon iniciativën e ndërmarrë nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e cila ka krijuar “Pako të ndihmës emergjente”. Kjo pako parashihet që sado pak të zbus situatën e rënduar financiare për klubet dhe lojtarët e të gjitha ligave të futbollit në mbarë Kosovën.

Kriteret për aplikim të përfitimit nga ky instrument i sapo krijuar financiar – emergjent, janë të qarta dhe duhet përmbushur në përpikëri. Megjithatë, shoqata ka evidentuar një nismë jo të rregullt të menaxhimit paraprak të kësaj asistence financiare që pritet të shpërndahet proporcionalisht sipas kategorive të specifikuara dhe në xhirollogaritë individuale të lojtarëve të regjistruar, përkitazi me listën e licensuar pranë FFK.

Rasti në fjalë është klubi i Ligës së Parë KF “Ramiz Sadiku“ nga Prishtina, menaxhmenti i të cilit ka kontaktuar lojtarët e vet përmes komunikimit të zakonshëm elektronik, me ç’rast iu është kumtuar lojtarëve që shuma prej 200.00€ të ndahet në dysh në mënyrë që të përfitojnë më shumë lojtarë, si dhe brenda shumës që FFK do të alokoj për klubin në fjalë konform kategorisë (Ligë e Parë), menaxhmenti ka vendosur njëanshëm të paguaj 10 trajnerë.

Shoqata dënon ashpër iniciativa të tilla, aq më tepër në kohën kur ne thërrasim për solidaritet e rregullsi të skajshme në përmbushjen e obligimeve financiare kundrejt lojtarëve. Sigurojmë anëtarët tanë se nuk do të lejojmë që të cenohet e drejta e futbollistëve në përfitim nga kjo pako apo ndihmesat e tjera financiare shtetërore, për aq kohë sa përfituesi individualisht përmbush kushtet e aplikimit dhe përfitimit.

Ne iu bëjmë thirrje të gjithë futbollistëve që janë pjesë e përfitimit nga kjo pako që t'i hapin xhirollogaritë e tyre bankare në mënyrë që ta marrin ndihmën e dedikuar për ta.

ShMDFK siguron anëtarët e saj futbollistë që do të monitoroj nga afër zbatimin e kësaj pakoje me kapacitetet që zotëron dhe fton FFK-në të jetë koshiente ndaj fenomeneve të tilla që ne i konsiderojmë të jashtëligjshme dhe aspak etike në aspektin profesional dhe moral.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat