FIFA riorganizon kalendarët?

Futboll

FIFA riorganizon kalendarët?

Më: 14 prill 2020 Në ora: 13:44
Infantino

FIFA ka marrë vendimin që ta shtyjë premierën e versionit të ri të Botërorit të Klubeve për një vit, në të cilin do të marrin pjesë kampionët kontinentalë të katër sezoneve të fundit. Superbotërori i Klubeve u njoftua për në qershor 2021, por pandemia e “Coronavirus” e shtyu “Euro 2020” me një vit. Kjo do të thotë se turneu europian i kombëtareve do të zërë datat e rezervuara për Superbotërorin e Klubeve. Së shpejti kjo do të jetë zyrtare dhe FIFA do të njoftojë zhvillimin e edicionit të parë të “Super24” (emri tregtar që po konsiderohet) për muajin qershor 2022, në Kinë.

Presidenti Infantino arriti të zbatojë një nga premtimet e mandatit të tij në Komitetin Ekzekutiv të marsit 2019. Ai e krjoi këtë kompeticion të ri, pavarësisht kundërshtimit të UEFA-s, e cila pretendonte se Superbotërori është një garë që ekslipson Champions-in. Tensionet e shkaktuara nga ai vendim u minimizuan tri javë më parë, kur Infantino, vullnetarisht dha dorëheqjen nga mbajtja e edicionit të parë në qershor 2021 për të hequr dorë nga këto data në funksion të Kampionatit Europian të UEFA-s.

Vendimi është marrë për ta luajtur edicionin e parë në qershor 2022, pas Botërorit të Katarit, i cili do të jetë i pari që do të zhvillohet në dimër. Superbotërori i Klubeve do të zhvillohet çdo katër vjet, në periudhën e zënë më parë nga Kupa e Konfederatave. Edicioni i dytë ka për qëllim të fillojë në verën e vitit 2025, një vit para Kupës së Botës, që SHBA, Meksika dhe Kanadaja do të organizojnë bashkërisht. 

Nga ana tjetër, për t’i krijuar hapësirë futbollit të klubeve, FIFA mund të shtyjë të gjitha ndeshjet e kombëtareve deri në vitin e ardhshëm. Kjo do të thotë se mund të shtyhen datat ndërkombëtare të shtatorit, tetorit dhe nëntorit, të planifikuara për Ligën e Kombeve. Kjo gjë u parashikua nga zv.presidenti i FIFA-s, Victor Montagliani, i cili kryeson grupin e punës së kalendarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat