Iniesta emocionon me këtë rrëfim

Futboll

Iniesta emocionon me këtë rrëfim

Më: 17 prill 2020 Në ora: 19:35
Iniesta

Andres Iniesta beson se gjenerata e artë e lojtarëve të Barcelonës, që përfshinte atë, Lionel Messi dhe Xavi, nuk do të përsëritet kurrë. “La Masia” u konfirmua një terren edukativ, veçanërisht i frytshëm për talentët e rinj, që furnizuan Barçën në fillimin e mijëvjeçarit. Vetë Iniesta, në mesin e një numri lojtarësh, që erdhën përmes akademisë, do të bëhej yll i Blaugranave në vitet në vazhdim.

Ndërkohë që disa nga ajo gjeneratë e artë i “kanë varur këpucët në gozhdë” tashmë, Iniesta vazhdon të luajë në Japoni. Messi, Gerard Pique dhe Sergio Busquets luajnë ende për katalanasit. Sidoqoftë, Barcelona do të shpresojë të sjellë një gjeneratë të re talentesh në vitet në vazhdim, por Iniesta është i bindur se ata nuk do të jenë në gjendje të riprodhojnë të njëjtin sukses, që patën dy dekada më parë.

“Ajo gjeneratë nuk do të përsëritet. Kurrë nuk do të jetë njësoj, por nuk ka pse të jetë më keq”, tha Iniesta për “The Guardian”. “Ka pasur të gjitha llojet e epokave në historinë e klubit. Lojtarët e rinj kanë marrë një shans në ekipin e parë, kur rezultatet ishin të këqija. Kjo ndodhi në epokën time. Nuk është e lehtë në periudhat kur keni 10, 11, 12 lojtarë nga të rinjtë në ekipin e parë. Varet nga trajneri, situata e klubit, por gjithmonë mendoj se një lojtar në sistemin e të rinjve, që është mjaft i mirë për të luajtur në ekipin e parë, arrin atje në një situatë apo tjetrën. Kishim jetuar shumë vite në klub, duke u rritur aty. Edhe pse ishim shumë të rinj, shkuam në ekipin e parë dhe qëndruam atje për 10, 12, 15 vite, duke u bërë kapitenë. Ne u formuam të gjithë aty si futbollistë dhe njerëz. Është e vështirë që diçka e tillë të ndodhë, të përsëritet. Ne po flasim për Barcelonën, një klub me lojtarët më të mirë. Víctor, Puyol, Xavi, unë…; bashkë me Busi, Pique dhe Leo, jemi njerëz, që kemi qenë në atë klub tërë jetën tonë. Pra, kemi atë plus, që të tjerët nuk e kanë”.

?????????????????????????????????????????????????????????

Pasi luajti mbi 600 ndeshje për Barcelonën, Iniesta u largua nga klubi katalanas në vitin 2018 dhe vazhdon të luajë për klubin e J-League, Vissel Kobe. Pavarësisht natyrës së diskutueshme të largimit të tij nga “Camp Nou”, spanjolli ka theksuar se është i hapur për t’u rikthyer aty, pasi ta lërë futbollin e luajtur:

“Tani për tani jam duke u përpjekur ta zgjas karrierën time si futbollist sa më shumë të jetë e mundur. Dua ta godas një top për aq kohë sa të mundem, sepse kjo është ajo që më bën të lumtur. Kam një kontratë deri vitin tjetër, 2021, por po i shikoj gjërat në fund të çdo sezoni. Ndihem mirë, i motivuar. Dua të vazhdoj të luaj derisa të jem i kënaqur këtu në Japoni. Kur ta lë futbollin, sikurse e kam thënë gjithmonë, do të doja shumë të kthehesha te Barça. E gjitha do të varet si, në cilin rol, çfarë situate, cili do të jetë në krye të klubit. Me gjithçka që kam përjetuar atje, me të gjitha ndjenjat që kam, do të doja të kthehesha përsëri”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat