Gravina: Do të ishte vrasje për futbollin italian

Futboll

Gravina: Do të ishte vrasje për futbollin italian

Më: 30 prill 2020 Në ora: 13:00
Gravina: Do të ishte vrasje për futbollin italian

Kampionati italian është në një udhëkryq të vërtetë, pasi skuadrat janë ndarë në dy grupe, ato që janë për çuarjen deri në fund të sezonit 2019-2020 dhe ato që duan anulimin e tij dhe përqendrimin te sezoni i ardhshëm.

Vetë qeveria italiane nuk ka dalë me një pozicion të qartë për këtë çështje, por vijon të mos lejojë nisjen e stërvitjes, ndërsa dje për herë të parë ministri i sporteve Vincenzo Spadafora tha se “ndoshta është më mirë të mendohet për sezonin e ardhshëm”.

Megjithatë presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina deklaroi se nuk do të firmoste kurrë për mbylljen e parakohshme të këtij sezoni, pasi në këtë mënyrë do të vriste futbollin italian.

“Nuk do të firmosja kurrë për mbylljen e parakohshme të sezonit, pasi kjo do të thoshte vrasje për futbollin italian. Të gjithë bëjnë thirrje për ndërprerje, përfshi këtu edhe qeverinë që nuk po na lejon të nisim stërvitjen, por nëse presim për numrin zero të të prekurve apo gjetjen e vaksinës, atëherë humbim edhe sezonin e ardhshëm”, deklaroi Gravina.

Më pas kreu i Federatës Italiane deklaroi se ka gati edhe një plan B, por që do të këmbëngulë për t’u realizuar plani A, ai i vijimit të sezonit, pasi në të kundërt dëmet ekonomike do të ishin të jashtëzakonshme për klubet e Serisë A.

“Çdo drejtues i përgjegjshëm e ka një plan B, C dhe D, ndaj edhe ne e kemi një të tillë, por për momentin as që e marr në konsideratë. Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të vënë në zbatim planin A, pasi në të kundërt dëmet ekonomike do të ishin të pashmangshme. Mjafton të kujtoj që vetëm nga e drejta e transmetimit do të humbnim menjëherë 400 milionë euro, për të përshkruar sa pasoja negative ka kalimi te një tjetër plan”, tha kreu i federatës italiane.

Në Francë qeveria imponoi mbylljen e parakohshme të sezonit, ndërsa ka ende paqartësi se si do të procedohet me fituesin, listën e skuadrave pjesëmarrëse në Europë, apo edhe atyre që do të bien e ngrihen nga kategoria, ndërsa Gravina evidenton edhe pasojat negative të këtij vendimi.

“Në Francë ishte qeveria që imponoi mbylljen dhe menjëherë klubi i Paris Saint Germain raportoi 200 milionë euro humbje, shifër kjo që mund të rritet. Për më tepër, ende nuk dihet nëse klubet franceze do të luajnë ndeshjet e Europës apo jo”, tha Gravina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat