Drejtori i Werderit flet për Rashicën

Futboll

Drejtori i Werderit flet për Rashicën

Më: 10 maj 2020 Në ora: 16:57
Drejtori i Werderit flet për Rashicën

Drejtori sportiv i Werder Bremen, Frank Baumann, ka thënë se klubi ende nuk ka marrë ndonjë ofertë specifike për Milot Rashicën, të cilën do të mundë ta shqyrtonte.

Për 23-vjeçarin nga Kosova është përfolur vazhdimisht këtë vit se do të largohet nga klubi gjerman, duke e parë interesimin e madh që klube të mëdha evropiane e kanë shfaqur për të. Në mesin e tyre edhe Liverpooli në Premierligë dhe Borussia Dortmund e RB Leipzig në Bundesligë.

Largimin e mundshëm të Rashicës gjatë verës nuk e ka përjashtuar as menaxheri i tij, Altin Lala, i cili javë më parë e pranoi se disa klube nga Bundesliga e kanë kontaktuar për shërbimet e anësorit vushtrriasit.

Por Baumann, edhe pse nuk e mohon që kanë pranuar oferta për vushtrriasin, le të nënkuptohet se ato nuk kanë qenë bindëse për Werderin.

“Deri tani, asnjë klub nuk na është afruar me ndonjë ofertë specifike, të cilën do të mundë ta shqyrtonim”, ka thënë Frank Baumann.

Rashica, i cili i shënoi 10 gola dhe i dhuroi pesë asiste në 24 ndeshje për Werderin këtë sezon në Bundesligë, i ka dy klauzola të lirimit në kontratën e tij me Werderin, e cila i mbaron në verën e vitit 2022.

Një në vlerë 38 milionë euro për të gjitha klubet, përveç Bayern Munich, dhe një në vlerë 15 milionë euro në rast se Werderi bie nga Bundesliga.

Rashica e ka pranuar se po mendon dhe po punon për të luajtur në Ligën e Kampionëve në të ardhmen, duke mos e përjashtuar largimin nga Werderi, por synimi i tij i tanishëm është ta ndihmojë klubin të mbijetojë në Bundesligë së pari.

I pyetur rreth interesimit të madh të klubeve evropiane për të, Rashica kishte thënë në mars për SID: “Nuk kam menduar shumë për këtë ende, sepse në gjendjen aktuale sportive mendime të tilla vetëm sa të shpërqendrojnë nga gjërat thelbësore”.

“Në fund të fundit nuk i kryen punë askujt, as mua e aq më pak klubit tim. Unë jam duke e marrë shumë seriozisht gjendjen aktuale dhe dua të bëj gjithçka për ta nxjerr klubin nga ajo”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat