Shtyhet gara për Kupën e Kosovës në Gjermani për vitin 2020

Futboll

Shtyhet gara për Kupën e Kosovës në Gjermani për vitin 2020

Më: 12 maj 2020 Në ora: 13:46
Shtyhet gara për Kupën e Kosovës në Gjermani për vitin 2020

Shtyhet gara për Kupën e Kosovës në Gjermani për vitin 2020, njofton kryesia e FFSHGJ-së. 

“Të nderuar anëtarë të Kryesisë së FFSHGJ dhe kryetarë të klubeve shqiptare të futbollit në Gjermani, anëtarë të FFSHGJ-së, në fillim dëshirojmë që ju dhe familjet tuaja të jeni mirë në këtë gjendje të vështirë që ka kapluar botën nga virusi korona dhe që sa më lehtë të përballoni këtë gjendje dhe një ditë sërish të gjendemi bashkë.

Lidhja Futbollistike e Hessenit (HFV), ku gjendet selia jonë dhe në landin ku është dashur të mbahet sivjet gara për Kupën e Kosovës në Gjermani, (Wiesbaden) dje, më 09.05.2020, ka vendosur që të mos vazhdohen garat në të gjitha ligat amatore në Hessen. Me këtë ka shpallur kampionë ekipet që në momentin e ndërprerjes së garave kanë qenë duke kryesuar tabelën kurse nga ligat nuk bie asnjë ekip. Kjo ka bërë që FC Kosova Frankfurt të shpallet kampione e Kreisliga A dhe nga sezoni i ardhshëm të garojë në Kreisoberliga (Bezirksliga).

Me këtë rast Kryesia e FFSHGJ-së e përgëzon klubin shqiptar nga Frankfurti duke i dëshiruar suksese edhe në një kategori më të lartë.

Në përputhje me këtë vendim jemi të detyruar edhe ne, që garën për Kupën e Kosovës në Gjermani për vitin 2020, të planifikuar për 20 e 21 qershor të këtij viti, ta shtyjmë për një kohë tjetër të pacaktuar.
Kryetari i FFSHGJ-së, z. Ruzhdi Statovci, ju përshëndet juve të gjithëve dhe ju lut që të komunikojmë në këto forma, përmes viberit, FB e emailave duke dhënë ide e propozime se si të veprojmë.
Ai propozon që gara jonë për Kupën e Kosovës në Gjermani, nëse lejojnë kushtet të mbahet diku në fillim të muajit tetor 2020.

Me këtë ne nuk do të bënim shkëputje nga ky aktivitet me çka edhe do të dilte fituesi i Kupës së klubeve shqiptare në Gjermani për vitin 2020, që do të kishte të drejtë të shkonte në Kosovë për të garuar bashkë me fituesin e Kupës së Kosovës dhe fituesin e Kupës së klubeve shqiptare në Zvicër, për Superkupën Kosovë - Diasporë, normalisht nëse në Kosovë do të ekzistonin kushtet për mbajtjen e një gare të tillë.

Ju lusim që të jepni mendimet, propozimet dhe sugjerimet tuaja në viber apo edhe në email, pasi që kjo shkresë do t´u dërgohet juve, anëtarëve të Kryesisë së FFSHGJ dhe klubeve shqiptare në Gjermani, të cilat kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë garë.
Kryesia e FFSHGJ juve dhe familjeve tuaja ju dëshiron ditë më të mira dhe përballim të suksesshëm të kësaj pandemie”, njofton Kryesia e FFSHGJ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat