Qeveria po tallet me futbollin, Tare: Juventusi më ka shërbyer si shembull!

Futboll

Qeveria po tallet me futbollin, Tare: Juventusi më ka shërbyer si shembull!

Më: 16 maj 2020 Në ora: 13:15
Qeveria po tallet me futbollin, Tare: Juventusi më ka shërbyer si shembull!

Igli Tare është drejtuesi tipik, ndoshta më i zoti mes “ndërtuesve të skuadrave”. Ai di se si të ngrejë në këmbë pjesë-pjesë një strukturë shumë solide dhe fituese me pak para.

Kërkimi i tij bazohet te futbollistët e panjohur. Ka një rrjet miqsh që i sugjerojnë talente të reja. Te Lacio, ai ka qenë edhe futbollist, derisa arriti që të bëhej drejtori sportiv i klubit. Igli vjen nga Shqipëria, flet 6 gjuhë dhe është shumë i shkolluar.

Por mbi të gjitha është mes atyre zërave të fortë, për të mos thënë i pari në Itali, që kërkon të rifillojë të luajë dhe është shumë i bindur se vetëm kjo është lëvizja e duhur. Si gjithmonë shumë serioz dhe me fjalë të matura mirë, Tare nuk është nga ata tipa që e kafshon gjuhën, siç tregon edhe intervista e dhënë për të përditshmen “Repubblica”.

Tare, po juve ju kujtohet 14 maji i vitit 2000?

Si jo! Isha në shtëpi, në Kaizerslautern dhe po shihja kampionatin tuaj së bashku me një grup miqsh. Ndeshja e Lacios kishte mbaruar, ndërsa ajo e Juventusit dukej se nuk do përfundonte kurrë, nën atë rrebesh. Pas saj, Lacio fitoi titullin kampion.
LACIO

I fundit deri më sot, saktësisht 20 vite më parë. Por deri kur do të zgjasë kjo?
Ne jemi gati. Do të provojmë ta fitojmë titullin që sivjet, nëse Seria A do të rinisë, ose do ta provojmë vitin tjetër. Ne vijmë nga larg, nga një rrugë e gjatë dhe nuk kemi kurrsesi ndërmend që të ndalemi këtu.

Doni ta vazhdoni kampionatin vetëm për interes personal?

Kush e thotë këtë, nuk kupton asgjë. Janë ende 36 pikë në lojë dhe Lacio nuk është kaq egoiste dhe e çmendur. Por dimë gjithashtu se futbolli ushqen 370 mijë persona dhe nëse ndalet, kjo gjë do të sjellë një faliment për shumë njerëz, ndërsa Italia do të humbë shumë copa të rëndësishme historie dhe nuk po flas vetëm për anën sportive. Do të jetë një rrënosje sociale. Të ndalosh tani, do të thotë se me shumë mundësi nuk do të mund të rinisin kampionatin e ardhshëm në shtator. Shumë muaj radhazi pa aktivitet, do të ishin verbues.
spadafora

Shumë rreziqe, shumë konfuzion dhe një ministër Sporti që vozit kundër rrymës. Përse?

Nuk mund të mendoj se zoti Spadafora të jetë kaq i papërgjegjshëm sa po e bën me kast këtë gjë, por në të njëjtën kohë e them me bindje se në Europë ekzistojnë qeveri që duan ta ndihmojnë futbollin, si Gjermania, Spanja dhe Anglia. Në Itali nuk është kështu, njësoj edhe në Francë, ku e bllokuan definitivisht garën. Madje, unë ju siguroj se qeveria franceze do të humbë shumë çështje civile me klubet. Prandaj, më mirë për ne (Italinë) që të shmangim një verë nëpër salla gjyqesh. Po tallen me ne, sepse këto komplikime të vazhdueshme janë qesharake. Qeveria të nisë të jetë më e qartë, përndryshe pasojat do të jenë madhore, jo vetëm ekonomike, sociale e sportive, por edhe psikike.

Pse psikike?

Njerëzit po vuajnë nervozizëm dhe futbolli do të ishte terapia e duhur kundër kësaj. Jemi të shumtë që kemi nevojë. Topi i futbollit mund të jetë shenja se jeta po rinis realisht.

Besoni se protokolli sanitar gjerman është ai i duhuri?

Pa as më të voglin dyshim. Kontrolle dhe nëse ka një pozitiv, izolohet vetëm ai. Do luhet dhe nëse dikush vendos që të kthehet në shtëpi, mund ta bëjë, por duke paguar nga xhepi i tij testet javore, për atë dhe familjarët e tij. Te Lacio, pas ekzaminimeve sierologjike rezultuam të gjithë negativë. Asnjë lojtar yni nuk u largua nga Roma gjatë gjithë kësaj periudhe bllokimi.

Pas pak do rikthehemi të bëjmë gjithçka në jetën e përditshme, por vetëm ndaj futbollit ka paqartësi. Përse?

Na kanë zili. Mendojnë se futbolli është vetëm Seria A, por ndërkohë janë mijëra familje që punojnë në këtë botë. Prandaj, ne kemi detyrën që t’i mbrojmë ata.
rama

Si shqiptar, çfarë provuat kur kryeministri juaj, Edi Rama, bëri atë fjalim aq të bukur mbi Italinë dhe solli te ne mjekë e infermierë?

Nuk u habita aspak. Ishte minimalja për një vend “vëllazëror” si i juaji që na ka ndihmuar gjithmonë. Gjysmë milioni shqiptarë janë mirëpritur në Itali, ku punojnë dhe paguajnë taksat. Përpara virusit ne u goditëm nga një tërmet shkatërrimtar dhe Italia ishte e para që na erdhi në ndihmë dhe na dha një mbështetje konkrete në çdo formë.

Në fillim edhe juve ju këndonin “erdhe me gomone”. Por mesa duket diçka ka ndryshuar?

Racizmi është gjithmonë një budallallëk. Emigrimi ka bërë historinë e Italisë dhe këtë italianët e dinë. Pas saj, paragjykimet ekzistojnë, madje edhe brenda të njëjtit popull. Por të rinjtë janë ndryshe dhe nuk e mendojnë më kështu. Tashmë ekziston kjo metoda “Tare”: të bësh shumë duke shpenzuar pak… Kam një staf me profesionistë të shkëlqyer dhe kam shumë miq në xhiro nëpër botë që më sinjalizojnë lojtarë të panjohur. E vështira është që të kuptosh se cili do të bëhet një kampion. Lacio kërkon talente me perspektivë, por për ta duhet të kesh durim, ndonëse kjo gjë në ekipe të rëndësishme si ne shpesh mungon. Por unë nuk dal jashtë këtij konturi. Durim, besim dhe koherencë janë virtytet e mia. Dhe që ta dini, kjo nuk është një metodë, por një filozofi. Unë e shënova rrugën time duke studiuar pikërisht më të zotët.

Për shembull?

Sigurisht Juventusin. Në atë klub nuk fitojnë vetëm sepse kanë lojtarët më të mirë.

Ju dukeni një personazh ndryshe nga të tjerët…
I tillë kam qenë edhe kur isha futbollist. E frekuentoja pak ambientin tonë. Më pëlqente të lexoja, të njihja, të studioja. Mund të jetohet edhe jashtë tufës…

Keni luajtur me Baxhon, Pirlon dhe Guardiolën. Jo keq!

Tre persona të pabesueshëm. Pirlo i bënte të gjithë të qeshnin. Ishte një shakaxhi, komplet e kundërta e idesë që mund të krijosh teksa e sheh në fushë. Guardiola pastaj ta bënte kokën lëmsh me idetë e tij të “tiki-takas”, që kur ishte futbollist. Baxho pastaj… Është hyjni! Por që ta dini, nuk kam njohur asnjë më të përulur dhe respektues. Dhe po flasim për një njeri që kishte botën në këmbët e tij… Gjatë kësaj periudhe keni pare çmendurira si njerëz në terapi intensive, kaos e gjëra të tjera.

Çfarë do ndryshojë te njerëzimi pas kësaj pandemie?

Të shihje ato imazhe në televizion, të gërryente keq nga brenda. Personalisht, gjatë kësaj periudhe mësova që të nis të frenoj disi në aspektin e punës dhe mësova të shijoj familjen. Të qëndroja çdo moment pranë fëmijëve të mi ishte gjëja më e bukur që më kishte ndodhur në këto 46 vite jetë. Puna është e rëndësishme, jetike madje, por ndoshta shpeshherë na largon shumë nga vetja dhe gjërat e rëndësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat