Sulmuesi argjentinas nuk bën më pjesë në planet e Sarrit

Futboll

Sulmuesi argjentinas nuk bën më pjesë në planet e Sarrit

Më: 21 maj 2020 Në ora: 14:33
Sulmuesi argjentinas nuk bën më pjesë në planet e Sarrit

E  ardhmja e Gonzalo Higuain duket gjithmonë e më larg Juventusit, pasi i ka mbetur vetëm një sezon në kontratë dhe klubi bardhezi do të provojë ta largojë këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.

Sulmuesi argjentinas nuk bën më pjesë në planet e Sarrit, ndaj së fundi po flitet gjithmonë e më shumë për mundësitë e transferimit të tij në kampionatin amerikan, ku disa skuadra kanë shfaqur interes.

Por siç raporton “Washington Post”, në faqet e saj sportive, Higuain ka nisur kontaktet me DC United, skuadër në të cilën edhe vëllai i tij më i madh, Federico Higuain është pjesë si futbollist dhe si ndihmës trajner.

Në këtë mënyrë sulmuesi argjentinas do të bashkohej me një pjesë të familjes, për të cilën ka thënë se i ka munguar shumë gjatë viteve që ka luajtur futboll në Europë, megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete.

Kjo pasi te Juventusi nuk kanë ndërmend të heqin dorë pa marrë një shifër prej 10-15 milionë eurosh për kartonin e tij, ndaj mbetet për t’u parë gatishmëria e drejtuesve të klubit amerikan për të paguar këtë shumë.

Gonzalo Higuain iu bashkua Juventusit në verën e 2016-ës dhe në 95 ndeshje me fanellën bardhezi, ka arritur të shënojë 45 gola, por prej dy sezonesh e ka humbur besimin e drejtuesve dhe tani është në listën e atyre që duhet të largohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat