Bregu: Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart

Futboll

Bregu: Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart

Më: 21 maj 2020 Në ora: 15:23
Bregu: Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart

Dejvi Bregu deri në çastin kur futbolli u ndërpre po përjetonte një nga sezonet më pozitive në karrierë, duke barazuar rekordin personal të golave në një edicion, nëntë.

Tashmë me rikthimin e futbollit, 24-vjeçari ka mundësinë të thyejë rekordin personal të golave dhe në këtë mënyrë në një rrjedhë logjike nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur që shumë shpejt ai dhe Skënderbeu do të jenë sërish në fushë në një sfidë kampionatin.

“Gjithmonë është bukur të bashkohesh, pasi vinim nga një periudhë mjaft e mirë, qoftë personale, qoftë edhe si ekip. Megjithatë kemi qenë një kohë të gjatë pa aktivitet, ndaj shpresoj të gjejmë sa më shpejt formën më të mirë”, u shpreh Bregu.

Aktorët kryesor në futbollin shqiptar në përgjithësi kanë rënë dakord për një temë, koha është e pamjaftueshme, dhe në këtë rrjedhë mendimi është edhe anësori vlonjat, megjithatë shpresa për të bërë mirë është e pranishme tek bardhekuqtë.

“Normal që periudha për t’u përgatitur nuk është aspak e mjaftueshme, por unë kam besim te ekipi se mund t’ia dalim, pasi kemi cilësi në grup”, u shpreh vlonjati.

Në çastin kur kampionati u ndërpre për shkak të pandemisë Skënderbeu ndodhej në vendin e 4-ët, një pozicion që edhe mund të të dërgojë në Europë, dhe pikërisht pjesëmarrja në Europë nëpërmjet klasifikimit është objektivi i madh, më pas natyrisht duhet pritur gjykata federale.

“Kur ecën mirë, normalisht që do pretendosh për më lart dhe ne e kemi treguar që jemi të barabartë me këdo nga ekipet e para të renditjes. Shpresoj të ruajmë këtë pozicion dhe pse jo të ngjitemi më lart”, tha vlonjati.

Në fund “gjeniu i vogël” i Skënderbeut ka një urim për të gjithë protagonistët e futbollit shqiptar. “U uroj të gjithë sportistëve ta kalojnë sa më mbarë këtë periudhë dhe pa asnjë dëmtim”, tha Bregu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat