Krasniqi: Shkëputja do të ketë pasoja

Futboll

Krasniqi: Shkëputja do të ketë pasoja

Më: 23 maj 2020 Në ora: 13:03
Krasniqi: Shkëputja do të ketë pasoja

Skënderbeu është i gjithi i përqendruar te rifillimi i kampionatit. Pas “mpirjes” që shkaktoi shkëputja prej Koronavirusit, tashmë edhe lojtarët po futen në ritëm. Seancat stërvitore në Durrës po vijnë në ngarkesa në rritje, gjë që po kënaq edhe stafin teknik.

Korçarët kanë qenë të etur për futboll dhe këtë e kupton edhe prej deklaratës së dhënë prej Blerim Krasniqit. Teksa foli për “Panorama Sport”, ai tregon se ka qenë mjaft e vështirë të përballohej kjo ndërprerje për më shumë se dy muaj. E megjithatë, ai e ka një shqetësim. Hapur e thotë që ndalesa do të sjellë pasoja sidomos në aspektin fizik.

“Rikthimi në stërvitje na solli edhe humorin e munguar pas gjithë kësaj kohe në karantinë e izolim. Të themi të drejtën nuk e kishim menduar kurrë se do të zgjaste kaq shumë shkëputja e kampionatit, por ja që koha tregoi të kundërtën. E vuajtëm pasi jo vetëm që nuk ishim në grup duke u stërvitur, por nuk na mbeti asnjë mundësi tjetër veçse të kryenim vrap dhe biçikletë në orar të kufizuar për të ruajtur formën. Ndërsa tani është ndryshe, por shpresojmë që gjithçka të fillojë sipas parashikimeve dhe në 3 qershor të zbresim në fushë.

Mezi po e presim një gjë të tillë. Futbolli për ne është gjithçka dhe besoj se gjithsecili po bën maksimumin për të qenë në formën e tij më të mirë. Kjo shkëputje të gjithëve na ka lënë pas nga forma fizike dhe jam i mendimit se pjesa e mbetur e sezonit do të jetë nën ritmin e zakonshëm të një kampionati normal në vendin tonë. Koha e vënë në dispozicion është e pamjaftueshme për të qenë gati dhe për të marrë ngarkesën e duhur. Plus kësaj mund të themi se do të jemi shumë larg asaj forme optimale që ishim para datës 10 mars kur po kalonim një moment të shkëlqyer”, theksoi fillimisht Krasniqi.

OBJEKTIVAT – Sulmuesi u ndal edhe tek objektivat e këtij sezoni dhe me bindje e thotë që Skënderbeu do të jetë në treshen e parë të tabelës. “Pavarësisht gjendjes, do të punojmë fort për të marrë më të mirën e mundshme në këto 10 javë. Jam i mendimit që ky ekip do të jetë në 3 vendet e para të renditjes, i kemi të gjitha mundësitë. Të jemi brenda zonës europiane dhe më pas të shohim”, theksoi fieraku, i cili në fund foli edhe për të ardhmen e tij: “Kjo pandemi pati ndikim edhe në merkato, solli shumë regres me sa shoh. Të shpresojmë që të jetë momentale pasi do të ishte shumë keq. Gjithsesi, është koha për të menduar për Skënderbeun dhe për mbylljen e sezonit me sukses”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat