U dogj Flamuri ish jugosllav, pas tre jave zbarkojnë amerikanët në tokën e nxehtë! Cilët janë dy shqiptarët e historisë...

Futboll

U dogj Flamuri ish jugosllav, pas tre jave zbarkojnë amerikanët në tokën e nxehtë! Cilët janë dy shqiptarët e historisë...

Nga: Kemajl Goca Më: 23 maj 2020 Në ora: 17:00
Kështu digjej Flamuri i urryer ish jugosllav

Periudhë interesante në vitin 1990! Pas trazirave në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, pikërisht me 13 maj, kur u rrahën tifozët e Dinamos së Zagrebit, “BBB-ës” me ata të Cërvena Zvezdës së Beogradit, “Delija”, pas më shumë se 4 muaj u dogj Flamuri ish jugosllav në stadiumin “Polud” të Splitit, në takimin që u ndërpre në minutën e 73-të, në mes Hajdukut dhe Partizanit, ndeshje e javës së 8-të të elitës së futbollit ish jugosllav.  

Kjo ndodhi me 26 shtator, apo siç shkruajnë mediat kroate, dita kur vdiq Jugosllavia, saktësisht para 30 viteve.

Në fakt, u deshën vetëm 73 minuta, pasi Partizani kaloi në epërsi 0:2 në minutën e 71-të, qindra anëtarë të Torcidas u futen në fushë dhe në tribuna, tollovi e madhe, në shtizë shihej si digjej Flamuri më i urryer ish jugosllav. 

Image

Ardian Kozniku

Në këtë ndeshje luante edhe legjenda e Kosovës, Ardian Kozniku dhe me numër 7-të për Hajdukun, ku pa me sy gjithë atë rrëmujë në stadium dhe i bëhej zemra mal kur shihte se si digjej Flamuri ish jugosllav.  

Tre javë më vonë ndodhi mrekullia dhe që la të shtangur Serbinë dhe gjithë federatën ish jugosllave. 

Ende pa u shkatërrua mirë ish Jugosllavia, në “Maksimir” zbarkon kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në futboll pikërisht me 17 tetor të vitit 1990. 

Atëkohë ekzistonte reprezentacioni i Jugosllavisë, por kroatët vendosën të formojnë kombëtaren e tyre. 
Kombëtarja e Kroacisë zhvillon ndeshje revyale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fitojnë me rezultat 2:1, në stadium mbi 30 mijë shikues, dasmë futbolli! 

Image

Kroacia-SHBA, formacionet, Kujtim Shala titullar

Këndej kroatët në festë dhe paralajmëronin formimin e shtetit kroat, këndej vdiste shteti artificial, Jugosllavia. 
17 tetori 1990 është një datë e madhe, historike në futbollin kroat. 

Image

Kujtim Shala, i treti djathtas, sfida e parë e Kroacisë, 17 tetor 1990 

“Vlen të kujtohet ajo mbrëmje, selektori i parë kroat, Drazhan Jerkoviç dhe 14 lojtarë që ishin të parët që luanin në fanellën kroate me një tabelë shahu kuq e bardhë. Emocione. Në mesin e tyre ishte edhe një patriot dhe legjendë e Kosovës, Kujtim Shala, që atëkohë ishte pjesë e Dinamos së madhe. Këta ishin 14 lojtarët e parë të kombëtares së Kroacisë dhe që mbeten në histori: Drazhen Ladiq, Tonçi Gabriq, Zoran Vuliç, Darko Drazhiq, Drago Çeliç, Vlado Kasallo, Sasha Pershon, Grega Zhidan, Kujtim Shala, Zlatko Kranjçar, Ivan Cvetkoviç, Aljosha Asanoviq, Mlladen Mlladenoviq, Marko Mlinariq.

Dy shqiptarë, dy legjendat e Kosovës, Kujtim Shala, i pari që veshi fanellën e kombëtares së Kroacisë dhe ishte i pranishëm në stadium në trazirat e “Maksimirit” (nuk ka luajtur për Dinamon shkaku i lëndimit), dhe Ardian Kozniku, që ishte në fushën e lojës në Split kur u dogj Flamuri ish Jugosllav.   

Kroacia-SHBA    2:1 (2:0), 17 tetor 1990

Stadiumi ‘Maksimir’, në Zagreb.
Shikues: 30.000.
Gjyqtar: Sergio Coppetelli (Italia).
Shënues: Asanoviq (29’), Cvetkoviq (33’) - Dayak (80’).
Kroacia: Ladiq (Gabriq 70’), Vuliç, Drazhiq, Çeliç, Kasallo, Pershon (Zhidan 71’), Shala, Kranjçar, Cvetkoviq, Asanoviq (Mlladenoviq 58’), Mlinariq.
SHBA: Meola, Trittschun, Balboa, Armstrong, Fraser, Banks (Windischmann 81’), Harkers, Eichmann (Bliss 57’), Krumpe (Dayak 46), Murray, Vermes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat