Skënderbeu është për t’u duartrokitur

Futboll

Skënderbeu është për t’u duartrokitur

Më: 24 maj 2020 Në ora: 15:47
Skënderbeu është për t’u duartrokitur

Me nisjen e këtij sezoni, askush nga ekipet që pretendonin vendet e para në Superiore nuk e fuste Skënderbeun në llogari dhe faturë. “Janë jashtë Europës dhe të dënuar, për çfarë do të luajnë?”. Në fakt edhe me të drejtë, pasi të kesh një motiv më pak dhe kaq të rëndësishëm nga skuadrat e tjera, është një diferencë e madhe dhe e bën garën disi të pabarabartë.

Por duke harruar që bëhet fjalë për një trajner si Ilir Daja, që asnjëherë nuk dorëzohet dhe gjen shpirtin e skuadrës edhe në momentet më të këqija. Fundja, këtu dallohen edhe më të mirët. Një tjetër teknik do të linte detyrën në mes dhe do të kishte menjëherë valixhet, pasi në këtë sezon të zhvilluar deri tani ka pasur jo pak luhatje dhe gjendej në mesin e një ambienti aspak pozitiv.

Kur i kthehemi pas Superiores, le ta shohim pak se ku e ka lënë Skënderbeu. Në gjashtë ndeshjet e fundit janë marrë pesë fitore dhe një barazim. Në një farë mënyre duke tentuar që të përsërisin magjinë e bardhebluve të Egbos, ndërsa kanë mundur edhe Kukësin në ndeshjen e fundit.

Barazimi i vetëm në ato takime të fundit ishte pikërisht ndaj Tiranës, duke i shkaktuar të vetmën njollë që nga koha e trajnerit Egbo, pasi gjithë pjesa tjetër është vetëm 3 pikë të marra dhe duke dalë me fitore nga çdo stadium, shkruan sportekspres nga Tirana.

Të gjitha këto të dhëna tregojnë qartësisht se Skënderbeu është për t’u duartrokitur për mënyrën sesi e ka zhvilluar garën dhe përse shumë herë gazetarët pyesnin lojtarët dhe trajnerin e korçarëve: “Në rregull, por për çfarë jeni duke luftuar?”.

Aktualisht kjo skuadër është në vendin e katërt dhe me pikë të barabarta me Laçin, 41 pikë, ndërsa i ndajnë vetëm 3 pikë me Kukësin. E teksa mbeten në pritje të një përgjigje pozitive që mund të vijë në gjyqin e fundit të qershorit për çështjen e Europës, Daja dhe gjithë Skënderbeu do të festonin më shumë sesa për të gjitha titujt rresht në vitet e fundit. “Për çfarë po luftonim? Pikërisht, për këtë”. Fitoret më të vështira dhe kur të gjithë dyshojnë janë ato që shijojnë më tepër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat