Rrëfimi i Benitezit: Si më ndryshoi jeta pas ‘mrekullisë së Stambollit’

Futboll

Rrëfimi i Benitezit: Si më ndryshoi jeta pas ‘mrekullisë së Stambollit’

Më: 25 maj 2020 Në ora: 18:12
Rafael Benitez

Ishte ndeshja që i ndryshoi përgjithmonë jetën. Një fitore që garantoi se emri i Rafael Benitez do të mishërohej në legjendën e Liverpoolit. Edhe tani, 15 vite pas finales dramatike në Stamboll, këto kujtime nxisin emocione që e bëjnë spanjollin të rrëqethet.

Benitezi nuk e kishte fituar asnjëherë trofeun e Ligës së Kampionëve kur kishte arritur te Liverpooli, por në sezonin e parë arriti të bëhej legjendë e klubit.

Tekniku spanjoll mendon se ky Liverpool tani, është më i mirë se ai që mposhti Milanin më shumë se një dekadë më parë.

“Unë gjithmonë them se Stambolli do të jetë finalja më emocionuese për shkak të mënyrës si fituam, dhe si u rikthyem”, thotë Benitez.

“Gjithçka po shkonte keq, masivisht keq dhe pas pjesës së parë ju mund të shikonit tifozët e Liverpoolit duke kënduar edhe pse po humbisnim 3:0. Ishte e jashtëzakonshme”, tha Benitez për Telegraph.

“Njerëzit thonë se ishim me fat në finale, por a ishim me fat në rundet e mëparshme ndaj Chelseat [në gjysmëfinale], apo ndaj Juventusit e Bayer Leverkusenit? Lojtarët bënë punë të mrekullueshme dhe patën besim të madh se mund ta bënim. Ishim pak me fat ndaj ekipit më të mirë në Evropë atë kohë, por edhe ne bëmë mirë”, vazhdoi spanjolli.

“Njerëzit nuk kujtojnë të gjithë lojtarët që ishin aty në fushë atë natë. Por ata [lojtarët] gjithmonë do ta kujtojnë. Ishte madhështore për të gjithë”.

“Kur pranuam golin e dytë, mendoja për gjërat që do t’u thoja lojtarëve. Po mbaja shënime dhe më pas pranuam golin e tretë, shikova qiellin. E di se duhej të jepja një fjalim në gjuhën angleze, dhe tani ju e dini anglishten time por atëherë, para 10 vitesh nuk ishte kaq e mirë”, shtoi spanjolli.

“Po mendoja çfarë t’u thoja lojtarëve në gjuhën angleze për t’i motivuar ata, por nuk është e njëjtë si në gjuhën spanjolle. Kur flisni anglisht, ju humbisni diçka.”

“U thashë: ‘duhet të merrni diçka nga kjo ndeshje’. E dija se Didi Hamann do të kontrollonte mesin e fushës dhe do t’i jepte më shumë liri Gerrardit [për t’u nisur në sulm], ata nuk mund t’i përballonin kësaj”.

Pas ndeshjes, Benitez festoi me gjithë të tjerët. Edhe pse nuk e konsumon alkoolin, ai ishte i ‘dehur’ me euforinë pas ndeshjes.

“Jeta ime në Angli ndryshoi. Fitimi i titullit me Valencian në Spanjë pas 31 vitesh më ndryshoi jetën. Por ardhja në Angli dhe fitimi i Ligës së Kampionve ishte madhështore. Ndryshoi gjithçka”, thotë Benitez.

“Një ditë kur po merrja vajzat nga shkolla kuptova sa i famshëm isha bërë. Kur mora ato në veturë, fëmijët e tjerë po këndonin emrin tim”, ka thënë spanjolli.

Liverpooli vitin e kaluar e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga ‘Mrekullia e Stambollit’.

14 vjet më pas, ‘Reds’ me triumfin ndaj Tottenhamit në stadiumin “Wanda Metropolitano” të Madrditit, u shpallën për herë të gjashtë kampionë të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat