Partizani sytë nga qeveria

Futboll

Partizani sytë nga qeveria

Më: 26 maj 2020 Në ora: 15:28
Partizani sytë nga qeveria

Pas më shumë se dy muajsh pushim, Kategoria Superiore duhet të rifillojë më 3 qershor. Pas marrëveshjes mes 10 klubeve të elitës dhe FSHF-së, u vendos që të mërkurën e ardhshme të luhet java e 27-të.

Që nga 18 maji Partizani ka nisur përgatitjet për të qenë gati për këtë afat, por ndonëse kanë kaluar ditë nga rifillimi i stërvitjeve në terren, sërish mbizotërojnë paqartësi te skuadra e drejtuar nga Adolfo Sormani. Për momentin, tri janë paqartësitë në kampin e kuq, të cilët varen nga pikëpamjet që ka qeveria për rifillimin e aktiviteteve zyrtare futbollistike.

MIQËSORET – Fillimi i punës së “demave” shkon kryesisht për rikthimin e lojtarëve në formë, gjë e cila zakonisht shoqërohet edhe me ndeshje testuese. Sipas kalendarit, të kuqtë do të përballen me Skënderbeun dhe përgatitjet si fillim shkojnë në funksion të kësaj sfide. Përpara se të zbresin në fushë, kryeqytetasit shpresojnë të zhvillojnë të paktën një ndeshje miqësore. Apriori, Partizani dhe Turbina kanë rënë dakord që të luajnë mes tyre në mesjavë në Cërrik, por duhet një përgjigje nga qeveria, pasi ende nuk ka një vendim për lejimin e ndeshjeve mes skuadrave.

3 QERSHORI – Të gjitha skuadrat po përgatiten për t’u rikthyer te futbolli, madje vetë FSHF-ja ka publikuar edhe orarin. Partizani me këtë logjikë do të presë Skënderbeun në orën 20:00 më 3 qershor. Por, edhe për startin ka paqartësi. 8 ditë para zbatimit të këtij afati, akoma qeveria nuk e ka thënë fjalën e saj. Duke parë që në shumë vende starti i kampionateve në Europë është më i vonshëm se në Shqipëri, ekziston pasiguria e shtyrjes së datës 3 qershor, dyshim i cili vjen edhe nga mos prononcimi i qeverisë.

Edhe axhenda e rifillimit të “demave” ka mbetur peng i fjalës së organeve qeveritare. Partizani i luan dy ndeshjet e para me drita, por nuk është përcaktuar nëse do të luhet në “Selman Stërmasi” apo “Air Albania”. Në dallim nga klubet e tjera organizatore, Partizani është klubi i vetëm që në dy javët e para i duhet të paguajë edhe për ndriçimin, pasi luajnë në orën 20:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat