“Kurrë s’kishte ndodhur kjo, mezi po presim…”, Marcelo “bekon” rifillimin e La Liga-s

Futboll

“Kurrë s’kishte ndodhur kjo, mezi po presim…”, Marcelo “bekon” rifillimin e La Liga-s

Më: 30 maj 2020 Në ora: 10:23
Marcelo

Ylli i Real Madridit, Marcelo, tha se mezi po pret që sezoni i La Liga-s të rifillojë, pas pandemisë së koronavirusit. Ky kampionat u pezullua në mars, për shkak të krizës së COVID-19, por do të kthehet në veprim me derbin midis Sevilla dhe Real Betis, më 11 qershor. Të premten, Këshilli i Lartë i Sportit i Spanjës (CSD) tha se kishte rënë dakord për planet e rifillimit me Federatën Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF) dhe La Liga. CSD lëshoi ​​një deklaratë, që konfirmoi planet për sezonin, i cili do të përfundonte më 18-19 korrik.

Real Madridi është dy pikë pas kampionëve në fuqi dhe kryesuesve të Barcelonës, me 11 javë kampionati të mbetura për t’u luajtur. Pra, gara e titullit të La Liga-s mbetet e hapur, ndërsa lojtarët po përgatiten për një rikthim në lojë. Duke qenë se nuk luan prej gati tre muajsh, Marcelo thotë se mezi po pret të rikthehet në fushë, përsëri: “Ne kurrë nuk kishim kaluar kaq shumë kohë, pa qenë në gjendje të stërviteshim në fushë. Dëshira jonë për të luajtur futboll është rritur, që kur u ndalëm nga COVID-19. Tani jemi afër rifillimit dhe mezi po presim të nisin ndeshjet.

Stërvitja këto ditë ka qenë e ndryshme nga ajo që jemi mësuar. Ne duhet të marrim masat sanitare, të respektojmë protokollet mjekësore, nuk jemi më si në rutinën e mëparshme. Sidoqoftë, ndihemi mirë. Jemi të gjithë të shëndetshëm, seancat stërvitore kanë qenë fantastike për rigjenerimin e ritmit tonë. Duke mos prekur një top për kaq gjatë, kur të kthehesh në fushë e ke humbur “nuhatjen” pak, por tani mundemi të luajmë. Mezi po presim të rifillojnë ndeshjet”.

Marcelo ka luajtur në 18 ndeshje për klubin këtë sezon, 10 prej të cilave në La Liga. Ndërsa Real Madridi mbetet në ndjekje të titullit në La Liga, të bardhët janë gjithashtu “gjallë” në Ligën e Kampionëve, teksa do të ndeshen me Manchester City në 1/8 finale. Ndeshja e parë e këtij raundi u fitua nga skuadra angleze, 2-1, me gola të Kevin De Bruyne dhe Gabriel Jesus, të cilëve iu kundërpërgjigj Isco.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat