Rikthehet futbolli shqiptar - Bota Sot
Rikthehet futbolli shqiptar

Futboll

Rikthehet futbolli shqiptar

Më: 3 qershor 2020 Në ora: 14:25
Rikthehet futbolli shqiptar

Pas një pushimi prej gati 3 muajsh Kategoria Superiore rikthehet në ekranin e Supersport për kënaqësinë e të gjitha të apasionuarve mbas futbollit shqiptar.

Gjithçka rifillon aty ku u ndërpre me javën e 27-të që do të luhet e gjitha këtë të mërkurë, por pa praninë e tifozëve ashtu siç do të ndodhë deri në fund të këtij sezoni. Luhet java e fundit e fazës së 3-të, me Tiranën që do të kërkojë të vazhdojë rrugën drejt titullit kampion.

Bardheblutë do të sfidojnë në orën 17:00 në Adush Muça të Ballshit, Bylisin, një ndeshje që u vu në rrezik nga rezultimi pozitiv i Eridon Qardakut me COVID-19. Kjo ndeshje është shumë delikate për ecurinë e bardhebluve në kampionat pasi Bylis është një kundërshtar i rrezikshëm. Po në orën 17:00 në Elbasan Kukësi pret Lufëtarin me shpresën për ta nisur me fitore dhe për të përfituar nga ndonjë hap fals i Tiranës.

Në Laç ndërkohë skuadra e Armando Cungu do të kërkojë të vazhdojë misionin për t’u kualifikuar në kompeticionet europiane duke mposhtur Teutën e Edi Martinit. Ndeshje mes dy skuadrave me nga 1001 probleme ajo e Vlorës mes Flamurtarit dhe Vllaznisë.

Ndërsa qershia mbi tortë është sfida e mbrëmjes mes Partizanit dhe Skënderbeut që do të luhet në Selman Stërmasi. 3 pikë është diferenca në renditje mes këtyre dy klubeve, me Partizanin që do të tentojë me të gjitha mënyrat fitoren për të kapur në renditje bardhekuqtë e Ilir Dajën. Ndeshjet gjithsesi do të nisin me disa rregulla të reja, pasi një skuadër do të ketë mundësinë të kryejë 5 zëvendësime ndërkohë që në rast protestash, futbollistët duhet t’u qëndrojnë larg 1 metër e gjysmë gjyqtarëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat