Duka këshillon skuadrat - Bota Sot
Duka këshillon skuadrat

Futboll

Duka këshillon skuadrat

Më: 3 qershor 2020 Në ora: 15:01
Duka këshillon skuadrat

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka përshëndetur rifillimin e Kategorisë Superiore, pas një periudhe të vështirë për krejt njerëzimin, si pasojë e pandemisë së Covid-19. Ditën e sotme, në kuadrin e javës së 27-të të kampionatit, skuadrat elitare shqiptare do të zbresin në fushë, duke i bërë një “restart” sezonit 2019-2020. Me siguri, sikurse nënvizon edhe kreu i futbollit tonë, do të ndjehet mungesa e tifozëve, e të ashtuquajturit “lojari i 12-të”, pasi protokolli sanitar nuk lejon grumbullime masive të njerëzve. Kësisoji, dyert e stadiumeve do të jenë të mbyllura për publikun.

Ja mesazhi i plotë i Dukës, pak orë para rifillimit të ndeshjeve:
“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit! Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit. Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.

Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë. Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës. Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe “fair-play”. Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit! Suksese të gjithëve!”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat