Ky është derbi i javës në Bundesligë

Futboll

Ky është derbi i javës në Bundesligë

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 16:18
Ky është derbi i javës në Bundesligë

Me 7 pikë larg vendit të dytë dhe kur i duhen edhe tri fitore për t’u shpallur kampion, Bayerni të shtunën udhëton për derbin e xhiros në Bundesligë, kundër Bayer Leverkusenit.

Janë edhe pesë xhiro deri në fund të kampionatit gjerman dhe Bayerni është afër titullit të tetë rresht në Gjermani, që me këtë formë e këtë ritëm, pakkush beson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Fitorja e javës së shkuar ndaj Fortuna Dusseldorfit zgjati serinë prej 9 fitoreve rresht të bavarezëve në të gjitha garat.

Por, në Gjermani, duelin ndërmjet Bayerit e Bayernit e shohin si një derbi të vërtetë, bazuar në formën e dy ekipeve dhe përballjeve të fundit. Në ndeshjen e parë të këtij sezoni, në nëntor të vitit të kaluar, ekipi nga Leverkuseni e kishte mposhtur Bayernin 1:2, ndërsa e kishte fituar edhe duelin paraprak në ligë.

Për ekipin vendës, një fitore do të ishte e rëndësishme pasi synon së paku pozitën e katërt në tabelë, përmes së cilës do të kualifikohej për Ligën e Kampionëve, në një garë të ashpër sivjet, me pesë ekipe që synojnë dy pozitat e Championsit.

Nga fillimi, për Bayerin pritet të luajë nga fillimi Kai Havertz që është lojtari më i mirë i kësaj skuadre, me 11 gola, 5 prej të cilëve i ka shënuar për tri ndeshje pas rikthimit të Bundesligës. Te Bayerni do të rikthehen pas lëndimeve të lehta Thiago dhe Hernandezi. Ndeshja zhvillohet të shtunën nga ora 15:30, ndërsa po të njëjtën ditë, por nga ora 18:30, Borussia Dortmundi e pret Herthën e Berlinit.

Një duel interesant dhe shumë i rëndësishëm do të luhet të dielën ndërmjet Werder Bremenit dhe Wolfsburgut, me vlera të ndryshme për të dyja ekipet. Bremeni po lufton për mbijetesë, e ujqit e Wolfsburgut synojnë Evropën, ndërsa ky është edhe një duel ndërmjet futbollistëve shqiptarë, Milot Rashica te Werderi dhe Admir Mehmedi te Wolfsburg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat