Për të riveshur Zaniolon zikaltër

Futboll

Për të riveshur Zaniolon zikaltër

Më: 7 qershor 2020 Në ora: 16:01
Për të riveshur Zaniolon zikaltër

Dy vite më parë Interi ofroi fantazistin Niciolo Zaniolo dhe një shumë të konsiderueshme parash, për të marrë në Milano mesfushorin belg Radja Nainggolan, një emër i preferuar nga trajneri i asaj kohe Luciano Spalletti.

Por kur kanë kaluar dy sezone, Zaniolo ka shpërthyer dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve të shumta europiane, ndërsa Nainggolan, pas një sezoni në hije në Milano, u huazua për një vit te Cagliari.

Këtë verë belgu do të rikthehet sërish në Milano, ndërsa vazhdimisht ka theksuar se do të dëshironte të luante sërish me fanellën e Romës, aty ku shkëlqeu për disa sezone dhe bëri për vete tifozët verdhekuq.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e Interit po mendojnë t’i ofrojnë Romës belgun dhe një sasi parash, për të marrë sërish në Milano fantazistin Zaniolo, duke qenë se ende kanë në pronësi 15% të kartonit të tij.

Aktualisht bëhet fjalë për një ide që ka nisur të qarkullojë në ambientin zikaltër, ndërsa me kalimin e ditëve gjithçka mund të bëhet konkrete, duke qenë se te Interi kanë nisur një fushatë për afrimin e të rinjve italianë.

Kështu pas Barellës, Sensit dhe Bastonit, të afruar verën e kaluar, prioriteti i Marottës për këtë fushatë merkatoje janë emrat e Tonalit, Chiesës dhe së fundi edhe Zaniolos, të cilët janë edhe e ardhmja e futbollit italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat