Wenger pendohet që luftoi për rregullat e ndershmërisë financiare: Të pasurit po pasurohen

Futboll

Wenger pendohet që luftoi për rregullat e ndershmërisë financiare: Të pasurit po pasurohen

Më: 9 qershor 2020 Në ora: 16:18
Arsene Wenger

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka pranuar se është penduar që i kishte mbështetur aq fuqishëm rregullat aktuale të Financial Fair Play (FFP – ndershmëri financiare) dhe nuk është i bindur që është ideja e duhur të huazohet modeli amerikan, sipas të cilit klubeve u vendoset një limit për paga.

Me krijimin e FFP-së u vendosën kufizime në shumën që klubet lejohen ta shpenzojnë gjatë një periudhe trevjeçare, në tentim për të mos i lejuar klubet të shpenzojnë shumë më shumë sesa që fitojnë.

Megjithatë, klubet kanë arritur të gjejnë mënyra për t’iu shmangur këtyre rregullave, ndërsa ndëshkimet – si pezullimi dyvjeçar i Manchester Cityt nga garat evropiane, që tashmë është apeluar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv – s’kanë arritur t’i largojnë ende problemet financiare.

Wenger tani thotë se klubet e pasura vetëm po pasurohen edhe më shumë dhe rivalët që po detyrohen t’i respektojnë këto rregulla po mbeten gjithnjë e më prapa, ndërsa shtoi se kriza që e solli koronavirusi e ka thelluar edhe më tutje këtë problem.

“Unë luftova shumë në fillim për FFP-në. Ajo për të cilën pendohem është se kur unë po luftoja për këtë, ekipet lejoheshin të bënin çka të donin dhe ato ekipe tani janë në drejtim dhe janë në pozita shumë të fuqishme në ligat e tyre”, ka thënë Wenger për The Athletic.

“Natyrisht, ato ekipe tani i mbështesin rregullat e FFP-së sepse ju përshtaten. Ata nuk duan që një ekip i ri të vijë dhe t’ua rrezikojë pozitën. Por, ndoshta ne duhet ta hapim derën duke pasur shumë kujdes, të jemi më të arsyeshëm dhe të sigurohemi që të gjithë t’i kenë burimet e njëjta”.

“Tani është bërë thjesht shumë e parashikueshme. Për shembull, në Francë, edhe para se të nisë kampionati, pyetja që të gjithë e bëjnë është: Kush do të jetë i dyti?”

Wenger beson se mund të gjenden zgjidhje që mund t’i barazojnë më shumë klubet e futbollit, mirëpo francezi nuk është i bindur se modeli amerikan, ku klubeve u caktohet i njëjti limit për paga, është propozimi i duhur.

“Po, jam i bindur se UEFA është e vetëdijshme se duhet të gjejë zgjidhje, edhe pse nuk jam i sigurt se modeli amerikan do të funksiononte”, shtoi Wenger.

“Njerëzit flasim për atë model të Amerikës, mirëpo, në atë rast, në të njëjtën skuadër ke një lojtar që paguhet pesë milionë dollarë dhe një tjetër që paguhet 50 mijë. As ky nuk është modeli i duhur”.

Wenger është kryesuesi i FIFA-s për Zhvillimin Global të Futbollit, ku, pas karrierës si trajner, tani mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kahjen se ka do të shkojë bota e futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat