Nuk tërhiqet pa Champions

Futboll

Nuk tërhiqet pa Champions

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 16:14
Nuk tërhiqet pa Champions

Gianluigi Buffon shkruhet, por lexohet “fenomeni”. Nuk ka mënyra të tjera për ta përshkruar fuqinë e një portieri të pakohë (nuk njeh moshë) dhe autentik. Po flasim për atë që, më 19 nëntor 1995, bëri debutimin e tij në Serie A. Pra, kanë kaluar gati 17 vite nga ajo kohë. Starti në elitë lidhet me vitin në të cilin mbrojtësi ekstrem i Parmës, Luca Bucci, u lëndua në stërvitje. Pra, këtu u ngrit pikëpyetja për Nevio Scala: Alessandro Nista apo ai djalosh i ri, i lindur në Carrara? Ndonjëherë, të tilla zgjedhje kërkojnë pavetëdije.

E njëjta gjë ndodhi me teknikun venecian, që vendosi të mbështetet te një talent të papërpunuar. E gjitha kjo, pas këshillave të çmuara të Enzo Di Palma, në atë kohë përgatitës për portierët verdheblu. Emilianët presin Milanin, i cili, në radhët e tij ka edhe njëfarë Roberto Baggio. Një yll, përballë të cilit do t’i dridheshin këmbët edhe portierit më me përvojë, lëre më një fillestari. Megjithatë, megjithatë, Gigi kthehet në “Supermen”. Si? Falë ndërhyrjeve shpëtimtare, njëra prej të cilave karshi “bishtalecit” të famshëm.

Dhe rrugëtimi i gjatë e mbresëlënës, që nuk njeh kufij kohorë, vijoi me Parma-Inter, më 1998. Nëse e mbani mend, SuperGigi i priti një penallti Ronaldos. Gjëje që në Serie A nuk ia arriti asnjë portier tjetër. “Shenjtërimi” ndodhi në Emilia, për të përqafuar pastaj Juventusin. 75 miliardë lireta, plus kartoni i Jonathan Bachini, i atij që, në vend të kësaj, jeta do t’i rezervonte një fat tjetër. Shkurt, në atë kohë, blerja më e shtrenjtë në historinë e Juventusit.

Një aventurë që fillon menjëherë me zhurmë: shfaqje të shkëlqyera dhe, mbi të gjitha, parakalimi i Interit në ditën e fundit të kampionatit. Një kampionat, ai i fituar më 5 maj 2002, gjithnjë i gjallë në kujtimet e popullit bardhezi.
Gëzim dhe dhimbje. Ky, nga ana tjetër, është futbolli. Vetëm mendoni për Manchester 2003, Berlin 2015 dhe Cardiff 2017. Tri finale, që mund ta kishin ngjitur Gigi dhe Juven në “çatinë” e Europës. Një obsesion akoma i gjallë që, pas një viti të kaluar në radhët e PSG, rezultoi me rikthimin te Juve. Në një rol tjetër, si portier i dytë, por gjithmonë me një mijë arsye për të mos u tërhequr.

Por, nëse triumfi në Champions nuk ka ardhur ende, ekziston një tjetër që, përkundrazi, e ka parë Buffon si protagonist absolut. E kemi fjalën për “Gjermania 2006”, kur Italia pushtoi Botërorin e saj të katërt. Një gëzim i çmendur, i papërshkrueshëm, i mbyllur me një pritje të paharrueshme kundër David Trezeguet, shok i një mijë betejave bardhezi, por rival i frikshëm me Francën, nga pika e bardhë. Në “Olimpiastadion” të Berlinit, axurrët, edhe falë tij, kaluan në delir.

Dhe pastaj ka zemrën. E çfarë zemre?! Të ngjyrosur bardhezi, ngjyra që e ngjitën Buffon, sipas shumë njerëzve, në podiumin e portierit më të mirë në histori. Një dashuri e jashtëzakonshme, e cila nuk u prish edhe nga rënia e Juventusit në Serie B. Po, po, sepse ndjenjat ndonjëherë e tejkalojnë arsyen...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat