Salihu: Nëse Agim Ademi shkon në burg, do të ketë zgjedhje të reja

Futboll

Salihu: Nëse Agim Ademi shkon në burg, do të ketë zgjedhje të reja

Më: 12 qershor 2020 Në ora: 21:52
Agim Ademi

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, gjatë një interviste në emisionin sportiv “Favorit” në T7, e ka pranuar se Federata do të duhet të mbajë zgjedhje për president të ri nëse kryetari aktual, Agim Ademi, detyrohet të shkojë në burg.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ishte dënuar më parë me nëntë muaj burgim për një çështje jashtë futbollit, të ndodhur në vitin 2012. Ai fillimisht ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit e përkrahi vendimin fillestar, që çoi deri te ankesa e Ademit te Gjykata Supreme.

Ditëve të fundit është bërë e ditur se Ademi është urdhëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të paraqitet në Shërbimin Korrektues në Prishtinë më së largu deri më 18 qershor. Përderisa Ademi ende nuk e ka bërë të qartë se çfarë do të ndodh me këtë urdhëresë, Salihu paralajmëron se në rast burgimi të kryetarit, FFK-ja do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kjo është një çështje e kryetarit Ademi dhe Komitetit Ekzekutiv. Unë mendoj se brenda pak ditësh vetë kryetari do të dalë vetë ta sqarojë. Mendoj se nuk duhet të përfitojmë nga fatkeqësia e dikujt, por ta lëmë atë ta zgjidhë këtë në mënyrë të dinjitetshme”, ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Ai më tutje i shpjegoi procedurat për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Ademi burgoset, Salihu në “Favorit” tha: “Po, është e qartë. Duhet të shpallen zgjedhje të reja. Duhet të shpallen zgjedhjet pastaj edhe kandidatura, por nuk duhet të merret me eufori, apo me veprime që do ta dëmtonin imazhin e futbollit, që, dorën në zemër, kohën e fundit është dëmtuar shumë”.

“Shpallen zgjedhjet brenda një afati njëmujor, ose edhe më shumë nëse ka nevojë. Pastaj vendosen rregullat që duhet t’i përfillë çdo kandidatët, duhet të vlerësohet a i plotësojnë kushtet kandidatët dhe pastaj duhet të kenë planprograme e pastaj edhe përkrahje nga anëtarët e Kuvendit”, shtoi Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat