Conte: Çdo ndeshje është si finale tani e tutje

Futboll

Conte: Çdo ndeshje është si finale tani e tutje

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 09:16
Antonio Conte

Pasi e nisi me fitoren 2-1 në ndeshjen e prapambetur ndaj Sampdorias, Interi do të rikthehet sërish në terrenin e “San Siro” nesër në mbrëmje, për t’u përballur me Sassuolon, në sfidën e vlefshme për javën e 27 të kampionatit italian.

Trajneri i zikaltërve Antonio Conte ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka pranuar se po mendon disa ndryshime në skuadër, pasi është e pamundur të luajë me të njëjtët lojtarë në këto kushte.

“Të mendosh që të luash me të njëjtin formacion, në këto temperatura dhe me këtë kalendar të ngjeshur, është e pamundur, Do të bëjmë disa ndryshime, por kam besim te të gjithë futbollistët dhe kushdo që të luajë, do të bëjë më të mirën në fushë. Kemi pak probleme në mesin e fushës, ku na mungojnë 3 futbollistë, por shpresojmë t’i rikuperojmë sa më shpejt”, deklaroi Conte.

Më pas trajneri zikaltër vlerësoi edhe Sassuolon, si një skuadër e përgatitur mirë që mund t’u hapë probleme, pavarësisht paraqitjes zhgënjyese tri ditë më parë në transfertën ndaj Atalantës. Sa i përket kreut, Conte u shpreh optimist, por pranoi se Interit i lejohen shumë pak, për të mos thënë aspak gabime.

“Nuk duhet t’i zëmë besë humbjes së Sassuolos në Bergamo, pasi janë një skuadër e stërvitur mirë dhe me futbollistë që mund të na vënë në vështirësi. Unë besoj ende te titulli, pasi në karrierën time kam qenë edhe në krye, edhe ndjekës. Kur je në krye e ke vetë fatin në dorë, ndërsa kur je ndjekës, të lejohen pak ose fare gabime për t’ia dalë”, tha trajneri i Interit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat