Gazetari anglez: Bremeni s’duhet ta shesë Rashicën, është talent i rrallë

Futboll

Gazetari anglez: Bremeni s’duhet ta shesë Rashicën, është talent i rrallë

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 23:07
Milot Rashica

Gazetari anglez i cili shkruan për Bundesligën, Matt Pearson, beson se Werder Bremen duhet të bëjë gjithçka për ta mbajtur Milot Rashicën në skuadër, pasi që beson se kosovari është një talent i rrallë që mund ta motivojë edhe pjesën tjetër të skuadrës të bëhet më e mirë.

Përkundër lëndimit që e pësoi në seancën stërvitore të Werder Bremenit të mërkurën, Milot Rashica arriti të rikuperohet në kohë për të luajtur në ndeshjen kundër Kolnit në ditën finale të sezonit 2019/20 të Bundesligës.

Në fitoren me rezultat 6:1, Rashica kontribuoi me një supergol dhe me një asist, duke i dhënë kështu fund ecurisë së tij prej 17 ndeshjeve të ligës pa shënuar gol. Kjo fitore bëri që Bremeni të ngrihet në pozitën e 16-të në tabelë, që ta siguron një vend në barazh.

Bremeni do të luajë në barazh kundër klubit që do ta zërë vendin e tretë në Bundesligën 2 për ta caktuar se cili nga këto dy ekipe do të luajë në ligën elitare sezonin e ardhshëm.

Ndeshja e barazhit mund të jetë e fundit për Rashicën në fanellën e Bremenit, pasi që për kosovarin është përfolur për një transferim gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, Pearson beson se Bremeni duhet ta bëjë maksimumin për ta mbajtur në skuadër Rashicën.

“Ashtu si me trajnerin Florian Kohfeldt, Bremeni ka qenë i durueshëm edhe me Rashicën këtë sezon. Ai e nisi sezonin në formë të mrekullueshme, me shtatë gola dhe tretë asiste në 11 ndeshjet e para, mirëpo nuk kishte shënuar asnjë gol në vitin 2020. Kjo rënie në formë e lëndoi shumë Bremenin. Ata janë dukur të parrezikshëm në sulm, por jo edhe të shtunën”, shkroi Matt Pearson.

“Lojtarët e cilësisë së Rashicës janë të rrallë në gjysmën e poshtme të Bundesligës dhe pasi që vetëm klubet e mëdha s’janë në krizë për para, ofertat tunduese do të jenë të vështira për t’u rezistuar. Por, ky sezon duhet të shërbejë si paralajmërim për Bremenin që cilësia është e vlefshme dhe e dëshmon veten pikërisht kur ka nevojë”.

“Rashica s’është i vetmi në Bremen, mirëpo ai është lojtari që mund ta bëjë dallimin. Ai është lojtari që mund t’i shqetësojë edhe mbrojtësit më të mirë dhe mund ta ndërrojë rrjedhën e ndeshjes”.

“Bremeni duhet të jetë ambicioz tani. Por, natyrisht, edhe dëshirat e Rashicës do të luajnë rol dhe ai do të dëshirojë pa asnjë dyshim të largohet nëse Bremeni e humb barazhin, gjë që s’mund të përjashtohet”.

“Por, ky është një talent i rrallë, i cili megjithatë duhet të bëhet më konsistent. Një lojtar i cili mund ta motivojë të gjithë skuadrën me energjinë, aftësinë dhe punën e tij. Prioriteti i parë i Bremenit duhet të jetë mbijetesa në Bundesligë. Mbajtja e Rashicës duhet të jetë prioriteti i dytë”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat