De Bruyne, mesfushori më i mirë në botë

Futboll

De Bruyne, mesfushori më i mirë në botë

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:24
De Bruyne, mesfushori më i mirë në botë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka lavdëruar mesfushorin e tij belg, Kevin De Bruynen, duke e cilësuar si mesfushorin më të mirë në botë, pas paraqitjes së tij në ndeshjen kundër Liverpoolit.

Ndeshja e parë e Liverpoolit si kampioni i ri i Anglisë mbeti një ndeshje për t’u harruar, pasi që djemtë e Jurgen Kloppit u mposhtën me rezultat 4:0 nga Manchester City, falë kontributit të madh nga Kevin De Bruyne.

Kevin de Bruyne e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes nga pika e penalltisë, para se Sterling ta finalizonte një kundërsulm të shpejtë për ta dyfishuar epërsinë pas vetëm rreth 30 minutave lojë.

Phil Foden e shënoi golin e tretë për nikoqirët, duke e mposhtur portierin e Liverpoolit, Alisson, pas një bashkëpunimi të mirë në një aksion me De Bruynen.

City vazhdonte të kërkonte gola edhe më tutje në pjesën e dytë të ndeshjes dhe Sterling mendoi se e kishte shënuar golin e tij të dytë në minutën e 66-të, megjithatë goditja e tij u devijua nga Alex Oxlade- Chamberlain, i cili e mori meritën e golit si autogol. Ndërsa, një gol i vonë nga Riyad Mahrez u anulua nga VAR për shkak të një prekjeje të topit me dorë nga ana e Foden.

Dy golat e fundit u krijuan falë saktësisë në pasime nga belgu De Bruyne, i cili, sipas trajnerit të tij, është mesfushori më i mirë në botë.

“Ai është një lojtar me të vërtetë shumë i mirë, është një lojtar jashtëzakonisht i mirë. Ai ka diçka të veçantë”, ka thënë Guardiola.

“Ai mund të vrapojë, ka vizion mbresëlënës. Ai ka karakter, siç po e tregon tani, duke i shënuar katër penallti radhazi kur ne e dimë që kemi pasur vështirësi të mëdha me penallti këtë sezon”.

“Për momentin, ai është më i miri në mesfushë. Natyrisht se mund të përmirësohet edhe më shumë. Si mund ta bëjë këtë? Ai e di”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat