Higuain po kalon javët e fundit të tij në Torino

Futboll

Higuain po kalon javët e fundit të tij në Torino

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 13:14
Higuain po kalon javët e fundit të tij në Torino

Gonzalo Higuain po kalon ndoshta javët e fundit të tij në Torino, por të martën në mbrëmje do të ketë shansin të luajë si titullar në një stadium ku ka shënuar thuajse gjithmonë dhe të vërë firmën e tij në titullin e nëntë radhazi të klubit bardhezi.

Me Paulo Dybalën të pezulluar për shkak të kartonëve, Maurizio Sarri pritet t’i besojë pikërisht argjentinasit rolin e sulmuesit kryesor në krah të Cristiano Ronaldos, me detyrën për të mbajtur para skuadrën dhe për të dërguar topin në rrjetë.

Higuain do të shkojë në Milano me stofin e “ish”-it, pasi ka veshur fanellën e Milanit për një gjysmë sezoni dhe nuk i shkoi aspak mirë, por të martën do të ketë mundësi të ndihmojë Juven për të marrë tre pikët, që do të përktheheshin në titullin e nëntë kampion radhazi për torinezët.

Një tjetër futbollist që ka luajtur shumë pak këtë sezon dhe që gjithashtu pritet të lërë Juven gjatë verës, është mbrojtësi Daniele Rugani, i cili ashtu si Higuain pritet titullar në “San Siro”, duke qenë se De Ligt është i pezulluar dhe Chiellini e Demiral janë të dëmtuar.

Me Ruganin e Bonuccin Juventusi ka fituar gjithmonë në Itali dhe Europë, por të martën do të jetë ndryshe, pasi përballë do të kenë një dyshe si Ibrahimovic e Rebic, të cilët kanë bërë mjaft mirë së bashku.

Megjithatë edhe Rugani do të ketë mundësi të vërë firmën e tij në një ndeshje kaq të rëndësishme për fatin e titullit kampion dhe më pas të mendojë për largimin nga Torino, pas një periudhe 5-vjeçare, ku nuk arriti të shndërrohet në një titullar fiks.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat