Gjykata Sportive e pezullon dhe e gjobit

Futboll

Gjykata Sportive e pezullon dhe e gjobit

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 16:38
Gjykata Sportive e pezullon dhe e gjobit

Më tepër se 6 vite më parë sulmuesi Luis Suarez kafshoi në fushë mbrojtësin Giorgio Chiellini në një ndeshje në Kupës së Botës mes Uruguajit dhe Italisë, fituar minimalisht 1-0 nga amerikano-latinët, ndërsa gjesti bëri xhiron e botës.

Për të parë të njëjtën skenë u desh të vinte mbrëmja e djeshme ku në përballjen mes Lecces dhe Lazios, mbrojtësi spanjoll i bardhekaltërve Patricio Gabarron, i njohur ndryshe si Patric, humbi toruan dhe i nguli dhëmbët në krah futbollistit të Lecces, Giulio Donati.

Episodi u regjistrua në minutat shtesë të takimit, kur rezultati ishte 2-1 për vendasit, ndërsa pas sinjalizimeve të ardhura nga VAR, arbitri kryesor i takimit ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin spanjoll dhe e dërgoi para kohe në dhomat e zhveshjes.

Megjithatë Patric nuk ia hodhi me kaq, sepse Gjykata Sportive e Serisë A mori në shqyrtim rastin dhe vendosi të pezullojë me 4 javë mbrojtësin spanjoll, si dhe ta gjobisë me 10 mijë euro për gjestin aspak sportiv.

Edhe vetë mbrojtësi i Lazios është penduar për çfarë bëri në “Via Del Mare” të Lecces, pasi vendosi t’i kërkojë menjëherë falje Giulio Donatit nëpërmjet një postimi në Instagramin e tij personal.

“Giulio Donati të kërkoj ndjesë për gjestin që bëra, ishte mungesë kthjelltësie. Për më tepër të uroj shumë fat ty dhe skuadrës tënde për pjesën e mbetur të kampionatit”, shkroi Patric në Instagramin e tij.

“Janë gjëra që në raste të tensionit të lartë edhe ndodhin, por kur tjetri e kupton gabimin dhe kërkon falje, gjithçka mbetet në fushën e lojës, pa pasur vend për mllefe”, tha mbrojtësi i Lecces në përgjigjen e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat