Flik: Trofetë janë objektivi i vetëm i Bayernit

Futboll

Flik: Trofetë janë objektivi i vetëm i Bayernit

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 18:04
Flik: Trofetë janë objektivi i vetëm i Bayernit

30 kampionate dhe 20 Kupa Gjermanie. Një hap i madh drejt historisë, trofetë e së cilës mund të vizitohen në muzeun e klubit të Bajernit. Trajneri Hansi Flik vetëm dy ditë pasi fitoi finalen e Kupës ndaj Leverkusenit u paraqit personalisht në selinë e Bajernit për të dorëzuar sukseset.

“Me këta dy trofe në dorë mund ta mendosh lehtësisht se çfarë kemi arritur të bëjmë në këtë sezon”, tha Flik. “Jam shumë krenar për skuadrën time dhe stafin. Kjo ndjesi është bërë edhe më e fortë tani që qëndroj këtu në muze dhe shoh çfarë ka fituar Bajerni në historinë e tij. Lavdi, sakrificë dhe shumë momente të paharrueshme. Të jesh pjesë e kësaj është diçka e madhe. Edhe pse kohë pandemie, arritëm të tregonim forcën tonë si skuadër në një nga sezonet që do të mbahet mend gjatë në historinë e Bundesligës”, tha Flik.

Por, për 55-vjeçarin sezoni ende nuk ka përfunduar për skuadrën e tij. Topi do të rrotullohet sërish në fillim të muajit gusht: “Skuadra do të japë gjithçka për të fituar sa më shumë tituj të jetë e mundur”. Flik befasoi të gjithë me futbollin që prodhoi në pjesën e dytë të sezonit duke siguruar një kontratë 2-vjeçare me bavarezët. Drejtuesit, edhe pse skeptikë në fillim, nuk kishin më asnjë dyshim me atë që panë në fushën e lojës. Bajerni parakaloi me një hap galopant këdo që i doli përpara duke mos njohur asnjë humbje në fazën e dytë. “Skuadra kuptoi menjëherë idetë e mia, unë i njihja lojtarët e mi, edhe pse nuk isha në pozicionin e trajnerit të parë. Idetë e mia ishin të qarta që në momentin e parë që pranova të drejtoj skuadrën. E bëra këtë gjë pa frikë, por me një pasion të madh për këtë fanellë.

Unë e njoh shumë mirë ambientin këtu në Mynih, kam luajtur për shumë vite, e di që këtu të fitosh është në ADN-në e çdo lojtari. Nuk ka asnjë objektiv tjetër përveç trofeve”, tha Flik i cili mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Niko Kovaçit i cili u largua në muajin tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat