Firmino s’ka shënuar gol në Anfield këtë sezon, flet Klopp

Futboll

Firmino s’ka shënuar gol në Anfield këtë sezon, flet Klopp

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 00:03
Firmino dhe Klopp

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, nuk mendon se mungesa e golave të shënuara nga Firmino në ndeshjet në Anfield, në ndeshjet e Premierligës, do të bëhet problem serioz për brazilianin.

Sulmuesi brazilian i ka shënuar tetë gola në Premierligë këtë sezon, por të gjitha këto gola i ka shënuar në ndeshjet e Liverpoolit si mysafir, asnjë në Anfield.

Goli i vetëm i Firminos në Anfield këtë sezon ishte ai në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridit, ndërsa goli i tij i fundit në Anfield në Premierligë ishte në ndeshjen e marsit të vitit 2019 kundër Tottenhamit.

Firminos i vazhdoi kjo ecuri edhe sot në ndeshjen kundër Burnleyt, kur iu mohua një gol nga shtylla. Ai i krijoi gjashtë raste për bashkëlojtarët e tij dhe Klopp nuk mendon se Firmino do të ndikohet nga ajo statistikë.

“Nuk mund të jetë problem psikologjik për të sepse Bobby luajti mrekullueshëm sot dhe ne nuk e gjykojmë atë, kështu shpresoj që nuk do ta lexojë në gazetat e juaja nëse ju shkruani për këtë gjë”, ka thënë Klopp.

“Ne thjesht nuk mendojmë për këtë. Nuk ka rëndësi kush shënon. Neve na duhet Bobby për gjëra të tjera. Na duhet Bobby pikërisht në ato pozita ku ishte sot. Ne kishim raste sepse Bobby luante ashtu siç luante”.

“Askush nuk shënoi përpos Robertsonit, kështu që kjo gjë nuk do të bëhet problem”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat