​Ankesat ndaj gjyqtarëve të drejta, FFK urgjentisht të gjejë zgjidhje

Futboll

​Ankesat ndaj gjyqtarëve të drejta, FFK urgjentisht të gjejë zgjidhje

Më: 12 korrik 2020 Në ora: 13:25
Ftubolli vendor

Javëve të fundit akuzat ndaj gjyqtarëve të ndeshjeve në Superligën e Kosovës janë duke u rritur, duke parë edhe performancën e tyre në disa ndeshjet kryesore.

Këto akuza po cilësohen si të drejta, ndërsa, fajtori kryesor mendohet të jetë vet Federata e Futbollit të Kosovës.

Trajneri i mirënjohur Bylbyl Sokoli, fillimisht u shpreh se në ndeshjet e fundit, ndeshje ku tensioni është shumë i lartë po delegohen gjyqtarë me karakter të ulët, të cilët edhe më parë nuk kanë treguar cilësi në futbollin vendor.

Sokoli: Po delegohen referët me karakter të ulët

“Janë xhirot e fundit, xhirot vendimtare të cilët përcaktojnë pozitën tabelare dhe kjo është arsyeja kryesore që krijohen tensione të mëdha, kurse ndeshjet po i drejtojnë arbitrat të cilët për nga karakteri nuk kanë treguar cilësi, përkundrazi kanë treguar shumë dobësi të cilat edhe më herët i kanë pas. Kjo do të thotë që janë gabime evidente të cilat kanë ndikuar në rrjedhën e një takimi dhe kanë krijuar tensione të panevojshme, tensione që i bëjnë dëm futbollit”, tha fillimisht Sokoli.

Sokoli deklaroi se FFK duhet t’i mbledh të gjitha organet dhe të diskutojë këtë çështje, për shkak se gabimet e gjyqtarëve po i kushtojnë shumë skuadrave si në luftën për titullin e kampionit, ashtu edhe në luftën për ekzistencë.

Sokoli: Gabimet e gjyqtarëve po i kushtojnë skuadrave

“Është shumë vështirë me vlerësuar a janë të qëllimshme apo të paqëllimshme sepse është çështje subjektive kjo se cili është gabim, por janë evidente që janë gabime të rënda të cilët i kanë kushtuar ekipeve të cilët i kushtojnë edhe mirëvajtjes së kampionatit, kjo është me rëndësi. Po mendoj që para se gjithash ndeshjet e fundit duhet t’i drejtojnë referët me stemën e UEFA-s, të cilët kanë më shumë kredibilitet dhe autoritet në drejtimin e një takimi”, tha Sokoli.

Ndërsa, trajneri tjetër Fetah Veliu fajin për ndodhitë e fundit në futbollin kosovar ia lë drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas tij, kohë më parë në futbollin vendor është ndërtuar një ndarje në mes të disa klubeve dhe federatës, gjë e cila tanimë po del në pah.

Veliu: Faji i tëri është i FFK-së

“Diçka është prodhuar pak më herët, është krijuar një atmosferë polarizuese, sidomos kjo ka prodhuar prej kuvendit të fundit, ku kemi pas grupacione, kemi pas polarizime, rivalitet themi me klubet dhe federatën, ka vazhduar edhe pas pandemisë, në fillim të kampionatit pas pandemisë, kështu që gjithmonë ka ekzistuar një polarizim ose fraksion i klubeve, brenda klubeve, fraksion klube – federatë. Kjo atmosferë ka ndikuar që edhe të krijohet një mendësi e mosdiciplinës në organizim, do të thotë është prishë edhe qeverisja e futbollit në Kosovë”, tha fillimisht Veliu.

Veliu pos tjerash deklaroi gjithashtu se në FFK janë krijuar grupime të cilët janë pro federatës, dhe këto grupime janë duke u favorizuar edhe nga gjyqtarët por edhe nga vet drejtuesit e FFK-së.

Veliu: Atmosfera është prishur në FFK

“Federata është organizatë qeverisëse e futbollit të Kosovës, gjithçka që ndodh jashtë federatës themi ngjarje të padëshirueshme, ngjarje të cilët i pamë në ndeshjen e fundit në Gjilan, krijojnë pastaj mendësi, krijojnë gjykim tek skuadra e futbollit, tek komuniteti i futbollit, se diçka po çalon në organizmin e futbollit. Qeverisjen e futbollit në Kosovë e drejton FFK. Në FFK ka ndodhë polarizime brenda forumeve, brenda njerëzve të cilët janë të punësuar, do të thotë vet atmosfera është prishur në federatë”, deklaroi tutje ai.

Sipas Veliut, zgjidhja e vetme do të ishte që klubet të mblidhen urgjentisht dhe së bashku me drejtuesit e federatës të caktojnë zgjedhjet e reja.

Veliu: Duhet urgjentisht të caktohen zgjedhjet e reja

“Duhet urgjentisht të mblidhen klubet edhe Federata bashkërisht të caktojnë zgjedhjet e reja dhe të zgjidhen njerëzit të cilët janë të nivelit profesional, të cilët kanë autoritet, kanë të themi reflektim pozitiv dhe munden me krijuar unitet, munden me krijuar homogjinitet brenda klubeve, raporte të mirë, avancim të futbollit dhe prezantimin e futbollit në Evropë”, përfundoi Veliu.

Kujtojmë që kritikat ndaj gjyqtarëve në Superligë janë rritur shumë kohëve të fundit, e sidomos në ndeshjet e javës së kaluar ku në Gjilan e Mitrovicë, të deleguarit nga FFK kishin bërë disa gabime të rënda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat