Skuadrat shqiptare, testim në Shkup

Futboll

Skuadrat shqiptare, testim në Shkup

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 12:18
Skuadrat shqiptare, testim në Shkup

Skuadrat që do të marrin pjesë në Kupat e Europës duhet t’iu nënshtrohen testeve për Covid-19 para udhëtimeve në transfertë dhe ndeshjeve. Ky është një rregull i qartë i UEFA-s, që nuk mund të anashkalohet nga askush. Mirëpo, për skuadrat shqiptare ka edhe një detyrim tjetër, të vendosur po nga qeveria europiane e futbollit. Tamponët, sikurse njihen në gjuhën popullore, nuk do të bëhen nga autoritetet mjekësore tonat, sikurse është ISHP, por nga një laborator privat në Shkup.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut është laboratori i kontraktuar nga UEFA për këtë punë, ku duhet të testohen të gjitha skuadrat e futbollit nga Ballkani, para se të luajnë ndeshjet e tyre në Kupat e Europës. Një fakt i tillë është zbuluar nga presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi. Për “Gazeta Olle”, ai ka saktësuar se klubet e Ballkanit do t’i kryejnë testet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut:

“UEFA ka kontraktuar një laborator gjerman, “Synlab”, i cili është i shpërndarë në gjithë Europën. Për ne në Ballkan, selinë e ka në Maqedoni. Në Kosovë nuk ka (as në Shqipëri). Të gjitha klubet nga Kosova, që do ta përfaqësojnë shtetin tonë në ndeshjet ndërkombëtare, do të jenë të obliguara që testet t’i bëjnë atje.

Edhe pse IKSHPK-ja është shprehur e gatshme t’i bëjë testimet, klubet e kanë pranuar këtë adresë nga UEFA dhe kjo është çështje e përfunduar nga UEFA. Adresa e “Synlab” për ne është dega në Shkup dhe testimi do të jetë i organizuar dhe i monitoruar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat