Torino mbylli një sezon shumë të komplikuar

Futboll

Torino mbylli një sezon shumë të komplikuar

Më: 5 gusht 2020 Në ora: 18:12
Giampaolo

Verën e kaluar Marco Giampaolo mori drejtimin e Milanit, por te kuqezinjtë rezistoi vetëm disa muaj, për t’u shkarkuar në fillim të muajit tetor, pasi kishte regjistruar 4 humbje dhe 3 fitore në 7 ndeshjet e para të kampionatit.

Megjithatë tekniku 53-vjeçar nuk qëndroi gjatë pa punë, pasi që prej pasdites së sotme është emëruar trajneri i skuadrës së Torinos, me të cilën ka nënshkruar një kontratë dy vjeçare me opsion rinovimi edhe për një vit të tretë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga presidenti i Torinos, Urbano Cairo, i cili u shfaq mjaft i lumtur që i ka besuar pankinën Giampaolos, të cilin nuk ngurroi ta cilësojë një “profesor” të futbollit dhe premtoi një merkato cilësore.

“Kemi marrë një trajner cilësor, pasi Giampaolo është nga ata që të mëson futbollin. Jemi shumë të lumtur dhe tani duam t’i bëjmë gjërat me qetësi e të bashkuar”, deklaroi presidenti i skuadrës “Granata”.

Torino mbylli një sezon shumë të komplikuar, të cilin e kishte nisur me Walter Mazzarrin në pankinë, i cili më vonë u zëvendësua nga Moreno Longo, por as ky i fundit nuk arriti të kthejë skuadrën në shinat e duhura, pavarësisht një organike mjaft cilësore në letër.

Nga ana tjetër Giampaolo ishte sot edhe në Milano, ku zgjidhi kontratën që e mbante të lidhur me Milanin dhe më pas firmosi marrëveshjen me Torinon, që bëhet kështu klubi i tij i katërt në Serinë A, pas Empolit, Sampdorias dhe kuqezinjve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat