Shehi: Jo keqardhje për largimin nga Kukësi

Futboll

Shehi: Jo keqardhje për largimin nga Kukësi

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 16:26
Shehi: Jo keqardhje për largimin nga Kukësi

Në vitin 2004 u largua nga qyteti i tij Durrësi për të vijuar karrierën në klube të tjerë dhe kulmin e arrit me Skënderbeun ku fitoi 7 tituj kampionë. Karriera e menjëhershme si trajner e largoi sërish nga shtëpia e tij, por tashmë Orges Shehi ka mundësinë të qëndrojë pranë familjes së tij, nën shoqërinë e njerëzve më të dashur dhe me qetësinë që ofron bregdeti i Adriatikut. Megjithatë 42-vjeçari nuk është mësuar të jetë inaktiv dhe është gjithnjë në kërkim të zgjerimit të njohurive në profesionin e ri.

“Pas kësaj faze shumë të ngarkuar, për shkak të një kampionatin anormal, natyrisht që duhen edhe pushimet. Jam ende aktiv, pasi po ndjek kursin UEFA B dhe vetëm pasi të marr licencën, do të vijoj pushimet”, tha Shehi.

Në 14 ndeshje nën drejtimin e Kukësit realizoi 9 fitore, 2 barazime e 3 humbje, edhe pse nuk do të vijojë të jetë në timonin e nënkampionëve, Shehi është i kënaqur me fizionominë që i dha skuadrës që në çastin kur më 2 Mars morri çelësat e skuadrës.

“Personalisht jam i kënaqur me atë që skuadra ka dhënë, pasi ishte një situatë e vështirë, me ndërprerjen e kampionatit dhe më pas me dy muaj shumë intensivë, të pajetuara më parë. Duhej të përgatisnim skuadrën, ta mbanim në tonus, të përgatisnim stërvitjen online, etj. ka qenë hera e parë që ndodhte diçka e tillë dhe na gjeti të papërgatitur, por për mendimin tim kemi fituar shumë, pasi të punosh në kushte të tilla, është një eksperiencë që të rrit shumë. Jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë”, u shpreh tekniku durrsak.

Individi dhe skuadra, një binom që duhet të bashkudhëtojë, megjithëse sa më shumë individë të cilësisë së lartë të lesh aq më mirë është. Në këtë pikë Orges Shehi nuk veçon asnjë lojtar të Kukësit si më të mirën, por vlerëson grupin në tërësi.

“Nuk dua të veçoj një emër apo një tjetër, pasi kanë qenë shumë lojtarë të mirë të gjithë dhe kanë tërhequr ekipin me lojën e tyre, dikush në një ndeshje e dikush në një tjetër”, tha Shehi.

Rinovimi nuk erdhi dhe për këtë nuk ka asnjë ndjenjë keqardhjeje tek trajneri durrsak, i cili sqaron edhe akordin në marrëveshjen me presidentin Gjici që ishte fitimi i një trofeu, gjë e cila nuk u realizua.

“Unë personalisht, edhe në karrierën si futbollist, nuk është se u jam referuar shumë kontratave. Ka qenë një marrëveshje xhentëllmenësh dhe unë nuk kam lexuar kurrë kontrata. Marrëveshja ishte që të fitonim një trofe, por nuk ia dolëm. Marrëveshja nuk u ndërpre, por nuk u rinovua dhe në futboll gjëra të tilla janë normale, me trajnerët që lëvizin vazhdimisht’, u shpreh Shehi.

E ardhmja është tani, Shehi zbulon se ka një ofertë konkrete në tryezë ku i besohet një projekt disa vjeçar, megjithatë vetë trajneri kërkon pak kohë e më pas do t’i kthej një përgjigje përfundimtare klubit që dëshiron t’i besojë drejtimin teknik.

“Ka një ofertë konkrete, por nuk dua të nxjerr emra, pasi nuk më pëlqen. Është ofertë konkrete dhe serioze, që të jep mundësinë të punosh në afatgjatë, por duhet menduar mirë. Projektet afatgjata janë të mira, pasi të japin kohë për të përgatitur mirë skuadrën dhe për të vënë në jetë idetë. Megjithatë do të pushoj pak, që të kthjelloj idetë dhe të marr vendimet”, deklaroi ish portieri durrsak.

I rritur si njeri e si futbollist tek Teuta, u largua në 2004-ën për të mos u kthyer më për të punuar në qytetin e tij. I lidhur shpirtërisht me qytetin e klubin, Shehi nuk e mohon dëshirën për të qenë nën drejtimin e “djemve të detit” në një të ardhme të afërt.

“Kam vite që nuk kthehem në Durrës për të punuar, por jetoj këtu dhe kam kontakte me të gjithë njerëzit e sportit. Ndoshta nuk kanë qenë kushtet deri tani, por ndoshta në një të ardhme të afërt, edhe mund të punoj në Durrës. Unë kam men duar të iki jashtë Durrësit, por nuk e kam menduar kurrë që ta ndërroj si qytet për të jetuar. Kontakte kam të shpeshta me të gjithë aktorët e futbollit, ndaj nuk përjashtohet mundësia, pasi këtë rrugë kemi zgjedhur për të jetuar”, u shpreh Shehi për Supersport.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat