Lokomotiva e Zagrebit “e dehur” me lojtarët shqiptarë

Futboll

Lokomotiva e Zagrebit “e dehur” me lojtarët shqiptarë

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 16:40
Lokomotiva e Zagrebit “e dehur” me lojtarët shqiptarë

Laçi ka zbritur në fushë prej dy ditësh, duke nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen e parë të Ligës së Europës, që do të luhet më 27 gusht. Në pritje për të mësuar kundërshtarin pas shortit që do të hidhet të hënën në Nion të Zvicrës, kurbinasit janë fokusuar tashmë te merkatoja, në mënyrë që të plotësojnë grupin pas largimeve të fundit.

Deri më tani kanë ikur lojtarë si qendërmbrojtësi Eglentin Gjoni dhe mesfushori me tipare sulmuese, Bedri Greca. Ende nuk dihet nëse edhe sulmuesi kryesor, Kirian Nuabueze, do të vazhdojë të qëndrojë në ekipin bardhezi.

Sipas burimeve në klubin laçian, nigeriani që ka pasaportë amerikane është nën kontratë me Laçin edhe për një vit. Gjithsesi, kurbinasit duan që të përdorin këtë për një transferim që do t’u sillte të ardhura të mjaftueshme. Hapoel Ber Sheva ka pasur një interesim konkret për kryegoalshënuesin e Superiores në sezonin e fundit, por ende nuk mund të flitet për një marrëveshje mes palëve.

Megjithatë, nuk është vetëm Nuabueze që kërkohet nga Laçi. Te skuadra e drejtuar nga Armando Cungu ka spikatur këtë sezon edhe mesfushori Juljan Shehu. Një titullar i padiskutueshëm në qendër të mesfushës, 21-vjeçari është grumbulluar edhe nga Kombëtarja U-21. “Panorama Sport” mëson se lojtari po ndiqet me kujdes nga Lokomotiva e Zagrebit dhe gjasat janë që të kemi një marrëveshje mes klubeve. Laçi pret ofertën zyrtare nga kroatët, me të cilët ka disa vite që bashkëpunon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat