Kuvendi historik, kjo ishte kryesia e parë e Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 1991

Futboll

Kuvendi historik, kjo ishte kryesia e parë e Federatës së Futbollit të Kosovës në vitin 1991

Nga: K.G. Më: 7 gusht 2020 Në ora: 17:01
Agim Bytyçi, kryetar i parë i FFK-së

Viti 1991 padyshim është viti historik për të gjitha sportet e Republikës së Kosovës. Në verën e vitit 1991 gjithçka mori fund, sportistët shqiptarë të Kosovës së bashku me ata të Sllovenisë dhe Kroacisë i thanë jo njëherë e përgjithmonë garave me klubet ish jugosllave dhe me të Serbisë.

Në vitin 1991 formohet Federata e Futbollit të Republikës së Kosovës, ku kryetar ishte emëruar Agim Bytyçi, ndërsa sekretar i përgjithshëm Sejdi Mërkoja. Në librin e FFK-së: “20 vjet mëvetësim-1991-2011”, është përshkruar tërë rrjedha e formimit të FFK-së.   

Vera e vitit 1991 ishte vërtet “e nxehtë” sa i përket ngjarjeve portive, përkatësisht futbollistike, në Kosovë. Ishte një verë që i paraprinte dhe e mbërthente një ngjarje të madhe, një ngjarje historike, mëvetsimin e futbollit shqiptar në Kosovë. Punëtorët e futbollit dhe vetë futbollistët e kishin bërë mendjen një - kishin vendosur që të formojnë Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo, ishte e lehtë të thuhet, por për tu realizuar ishte shumë herë më e vështirë, sepse në vete ngërthente hapa ta matur, të planifikuar me kujdes, angazhim të vazhdueshëm, vendosmëri, e pse jo, edhe trimëri, sepse, në atë kohë, aktivistët e sportit në vendin tonë, ishin të përcjellë e të ndjekur nga pushteti serb, me qëllim që, mundësisht, të kontrollohej çdo veprim i tyre, dhe të para pengohen në realizimin e qëllimit të tyre, i cili, nga dita në ditë, bëhej gjithnjë e më i çartë.

Gjatë asaj vere, janë organizuar dhe mbajtur një sërë takimesh të iniciatorëve të idesë për mëvetësim dhe të përfaqësuesve të klubeve, takime këto që me vete bartnin mjaft vështirësi dhe probleme.

Vështirësitë ishin të llojllojshme, duke u nisur nga ato më banalet, siç janë problemet e udhëtimit, pasi, autobusët nuk qarkullonin rregullisht (iu shmangshin udhëtimeve në orët e mbrëmjes) ndërsa karburantet mungonin në tregun e lirë, kështu që në “të zezë” një litër benzinë paguhej 3-4 marka gjermane! Duhet pranuar edhe faktin se, tek përfaqësuesit e disa klubeve (fatbardhësisht nuk ishte numër i madh i tyre) ishte prezent një hezitim se si do të vejnë punët dhe çfarë pasojash mund të ketë nga tërë kjo iniciativë.

“Është shumë mirë që ata që shprehin hezitim, janë në pakicë absolute dhe kjo na jep kurajë dhe na bind se shumica janë të një mendje dhe të vendosur që idenë tonë ta bëjmë realitet” kishte thënë Agim Bytyqi, asokohe kryetar i klubit të futbollit Liria nga Prizreni e që më vonë zgjidhet kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Pavarësisht të gjitha vështirësive, në fundin e muajit qershor, gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 1991, janë mbajtur një sërë takimesh (thuaja çdo javë nga një, e ndonjë herë edhe më shpesh), të gjitha ato në funksion të përgatitjeve sa më të mira për jetësimin e idesë për mëvetësim, përkatësisht për mbajtjen e Kuvendit Themelues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Synohej një unitet i cili do ta bënte më të lehtë arritjen e qëllimit, dhe, ai, gradualisht arrihej. Duhet pranuar se në atë periudhë, në pozitën më delikate ishte klubi me më nam dhe më i suksesshëm në futbollin e Kosovës, Prishtina. Në ato momente, Prishtina ishte klubi i vetëm nga Kosova që bënte gara në nivelin më të lartë federativ të ish Jugosllavisë. Në fakt, mund të thuhet se, asokohe, Prishtina ishte klubi i vetëm profesionist me plotë kuptimin e fjalës, në futbollin e Kosovës. Kjo nënkuptonte që të gjithë anëtarët e këtij klubi (futbollistë e trajnerë) lojën e futbollit e kishin burim të vetëm të të ardhurave dhe të ekzistencës.

Kjo nuk i pengoi prishtinasit që të përqafojnë dhe t’i bashkëngjiten idesë për ndarjen e futbollit kosovar nga tute la serbe dhe të deklarohen publikisht se janë gjithnjë përkrah vëllezërve të tyre. Ishte kjo një nxitje e jashtëzakonshme për të gjithë ata që angazhoheshin për jetësimin e kësaj nisme. “Për asnjë moment nuk kemi dyshuar në lojtarët dhe trajnerët e klubit Prishtina se do të na bashkëngjitën. Megjithatë dua ta pranoi se publikimi i vendimit të anëtarëve të klubit Prishtina, ishte një stimulim shumë i madh për të gjithë ne, e pse jo, ishte edhe një garanci e madhe, gati e sigurt, se qëllimi ynë do të arrihet” i kujtohet sot punëtorit të dalluar të futbollit, Sejdi Mërkoja, më vonë i zgjedhur si sekretari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Pas shumë takimeve paraprake, ku u planifikuan thuaja të gjitha detajet e mundshme të cilat mund të kishin ndikim në rrjedhën e këtyre angazhimeve, u konstatua se janë krijua kushtet e nevojshme për mbajtjen e Kuvendit Themelues të FFK-së. Dhe, u caktua data e mbajtjes së këtij Kuvendi – ishte 20 Gushti i vitit 1991 kur do të mbahej ku Kuvend i shumëpritur. Ishte ditë e martë.

E marta e Kuvendit Historik. E Kuvendit Themelues të Federatës së Futbollit të Kosovës. Parapërgatitjet e gjata dhe mjaft precize dhe vetëdijesimi i të gjithë pjesëmarrësve se Kuvendi mbahej në rrethana mjaft të ndërlikuara, gati-gati në kushte lufte, ndikuan që të ketë një pajtueshmëri të jashtëzakonshme, thuaja befasuese dhe të paparë deri më atëherë, ndërmjet pjesëmarrësve të këtij Kuvendi Historik. Propozimet e përpiluara, të analizuara dhe të parapërgatitura, përkraheshin thuaja unanimisht.

Madje nuk kishte ndonjë problem të theksuar as me rastin e zgjedhjes së Kryesisë së parë të FFK-së dhe të kryetarit të parë. Nderi që të jetë kryetar i parë i asociacionit të porsaformuar i takoi punëtorit të dalluar sportiv nga Prizreni Z.AGIM BYTYÇI. “Ishte nder i madh për mu por njëkohësisht edhe obligim i madh. Vazhdimisht më ka përcjellë një dro se a do t’ia dal të përmbush atë që nga unë e prisnin ata që më zgjodhën në këtë post. Fatbardhësisht e kam pasur përkrahjen e pa rezervë të të gjithëve, dhe fal angazhimit të secilit, kemi arritur atë që, në fillim na është dukur e pamundur, utopike” kujtohet tash z.Agim Bytyçi.

Do theksuar se, me rastin e zgjedhjes së Kryesisë së parë të FFK-së, disa individ që e meritonin të gjenden në atë përbërje, qëllimisht u kursyen, pasi ishte vlerësua se ishin më të nevojshëm në funksionet publike që i kryenin e të cilat, me zgjedhjen në Kryesinë e FFK-së, mund të rrezikoheshin. Po ashtu, edhe pse ishin të propozuar, aty nuk mundën të gjendën anëtarët e Kryesisë së Federatës së Sporteve të Kosovës, pasi, asokohe ishte kriter që një person nuk mund të jetë në dy Kryesitë.

Pjesëmarrësit e Kuvendit Historik të 20 Gushtit 1991, u pajtuan që të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për startin sa më të shpejt të Kampionatit 1991-1992, të parit në organizim të FFK-së. Përgatitjet ishin intensive dhe shumë serioze, dhe, ato, mundësuan që shumë shpejt të startoi kjo garë aq shumë e pritur. Ishte e premte e 13 Shtatorit të vitit 1991, dita kur në rrugën “Xhemajl Ibishi” në Prishtinë, në stadiumin e Flamurtarit, u zhvillua ndeshja e parë zyrtare pas themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, ajo ndërmjet KF Flamurtari dhe KF Prishtina. Kështu, filloi një etapë e re e zhvillimit të futbollit në Kosovë!”, shkruan në librin e FFK-së, “20 vjet mevetësim – 1991-2011”.

Kryesia e parë e FFK-së 
1. Agim Bytyçi, kryetar
2. Hamdi Tovërlani, nënkryetar
3. Gafurr Kabashi, nënkryetar
4. Xhafer Morina, anëtar
5. Jakup Berisha, anëtar
6. Bajram Bardhi, anëtar
7. Bedri Hamza, anëtar
8. Beqir Aliu, anëtar
9. Ferat Qorri, anëtar
10. Enver Nuredini, anëtar
11. Sejdi Mërkoja, sekretar
12. Ajet Shosholli
13. Shinasi Berisha
14. Arbnor Morina
15. Shpëtim Kuqi
16. Bajram Zeqiri
17. Skënder Selmani
18. Haki Loci
PS. Disa prej këtyre anëtarëve janë inkuadruar më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat