Nuk kanë fund largimet te Skënderbeu

Futboll

Nuk kanë fund largimet te Skënderbeu

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 11:43
Nuk kanë fund largimet te Skënderbeu

Skënderbeu po vijon të boshatiset ditë pas dite dhe ende nuk po jep sinjale rizgjimi për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri. Një situatë që duket pak a shumë si ajo me të cilën korçarët u përballën sezonin e kaluar duke pasur vështirësi për të filluar si duhej kampionatin, gjë që u reflektua deri në fund të fazës së parë.

E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe tani me klubin bardhekuq. I mbetur pa trajner për momentin dhe ndoshta edhe pa staf, korçarët nuk po mendojnë për asgjë veçse të largojnë lojtarët. Presidenti Ardjan Takaj dukshëm është duke pritur një lajm që do të vijë nga Gjykata Federale dhe deri atëherë nuk ka ndërmend të lëvizë asgjë në merkaton në hyrje. Një hezitim ky që mund t’u kushtojë shumë bardhekuqve për nisjen e sezonit të ri. Nga ana tjetër, veç mungesës së afrimeve, korçarët po përballen edhe me largime të njëpasnjëshme nga ekipi.

Pas zyrtarizimeve të katër lojtarëve të parë të larguar menjëherë pas ndeshjes së fundit me Partizanin, rrugën e tyre e ndoqën edhe tre lojtarë të tjerë që u transferuan jashtë vendit duke sjellë të ardhura në arkat e klubit bardhekuq.

Por tashmë edhe dy futbollistë të tjerë duket se do të kërkojnë të mbyllin gjithçka me drejtuesit e Skënderbeut pavarësisht kontratës për rinovim opsional të kohëzgjatjes. Bëhet fjalë për Asion Dajën dhe Eni Imamin që luajtën si bardhekuq sezonin e fundit, por që duket se nuk kanë ndërmend të vazhdojnë një aventurë të tillë. Kjo për shkak se ofertat në drejtim të tyre janë bërë interesante dhe joshëse për të dyja palët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat