Pirlo e do me çdo kusht në skuadër, Juventusi gati ofertën për Iscon

Futboll

Pirlo e do me çdo kusht në skuadër, Juventusi gati ofertën për Iscon

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 09:56
Isco dhe Pirlo

Juventusi befasoi të gjithë me emërimin e Andrea Pirlos në krye të ekipit të parë.

Vetëm disa ditë më parë ish-mesfushori italian mori drejtimin e Juventus U-23, por pas shkarkimit të Maurizio Sarrit, atij i është besuar drejtimi i skuadrës së parë.

Tekniku i ri italian do të ketë synim që ta bëjë Juventusin një skuadër fituese edhe në Evropë, pasi në Serie A torinezët nuk kanë konkurrencë duke fituar nëntë tituj të kampionit radhazi.

41-vjeçari ka disa lojtarë në listë për t’i transferuar si Sandro Tonali i Brescias apo Nicolo Zaniolon e Romës.

Giallorosët i kanë kthyer përgjigje negative Zonjës së Vjetër duke i bërë të qartë se Zaniolo nuk largohet për asnjë çmim.

Ndërkohë sipas medieve italiane Pirlo ka kërkuar nga drejtuesit e klubit transferimin e mesfushorit spanjoll Isco Alcoron.

28-vjeçari nuk është një titullar fiks te Real Madridi, ndërsa mbetet njëri nga lojtarët më të pëlqyer të Pirlos.

Italiani beson se me ardhjen e Iscos në skuadër atëherë edhe Cristiano Ronaldo do të jetë më i shërbyer me topa dhe do të mund të shënonte më shumë gola.

Drejtuesit e Juventusit menjëherë kanë nisur planin për transferimin e Iscos dhe janë gati t’i shpenzojnë rreth 55 milionë euro për reprezentuesin spanjoll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat