Reforma e Champions-it është në duart e UEFA-s

Futboll

Reforma e Champions-it është në duart e UEFA-s

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 16:27
Rummenigge

Karl Heinz Rummenigge, drejtuesi i lartë i Bayern Munich, në mesin e favoritëve “Final Eight” të Ligës së Kampionëve, që starton nesër në Lisbonë me Atalanta-PSG, ishte për një kohë të gjatë në krye të ECA (Shoqata e Klubeve Europiane të Futbollit), dhe mbi të gjitha luajti futboll në kohën kur kupat europiane ishin të gjitha me “nokaut”. Kështu që tani, mbi bazën e formulës së re të krijuar nga UEFA prej emergjencës së Coronavirus, parashikon një ristrukturim të Champions-it, duke marrë si model fazën finale që fillon nesër në Portugali.

“Do të ketë një reformë të Champions-it, do ta shihni, – tha ai në një intervistë për “Kicker”. – Modaliteti i kësaj faze finale me tetë skuadra do të ketë efekte sensacionale për tifozët. Në një raund me dy ndeshje, vajtje-kthim, të fortët fitojnë gjithmonë. Vetëm në 90 minuta, pra në ndeshje teke, çdo gjë mund të ndodhë, ka më tepër emocione.

Tani që kthehemi të flasim për reformimin e kompeticioneve nga viti 2024, do të duhet ta marrim parasysh këtë formulë. Nëse ka diçka që duhet të rritet, është eliminimi i drejtpërdrejtë.

Reforma e Champions-it është në duart e UEFA-s, e cila dëshiron të përfshijë ECA dhe ligat kombëtare, por nuk mendoj se mund të përmbushim afatin e nëntorit për të përcaktuar një format të ri. Më mirë të vendosim pa presion. Në çdo rast, – përfundoi Rummenigge, – unë jam për cilësinë e ndeshjeve, jo për sasinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat