Në listë është kolumbiani

Futboll

Në listë është kolumbiani

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 11:09
Duvan Zapata

Një sulmues shtatlartë dhe i fortë fizikisht, që të luajë në majën e repartit të avancuar dhe të krijojë sa më shumë hapësira për dyshen Dybala-Ronaldo, është edhe objektivi kryesor i merkatos së verës te Juventusi.

Këtë e kanë të qartë drejtuesit e klubit bardhezi, të cilët kanë marrë edhe konfirmimin nga trajneri i ri Andrea Pirlo dhe kanë nisur punën, ndërsa emri favorit në listë është ai i kolumbianit të Atalantës Duvan Zapata.

Prej dy sezonesh futbollisti është shndërruar në një makineri golash te Atalanta, teksa përveçse shënon vetë shumë, 29-vjeçari ndihmon jo pak të shënojnë edhe futbollistët që luajnë pas shpinës së tij si Iliçiç, Domez apo Malinovski.

Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e Juves do të provojnë me të gjitha mënyrat për ta transferuar në Torino dhe menjëherë pasi të marrë fund aventura europiane e Atalantës, do të nisin ofensivën.

Aktualisht bergamaskët e vlerësojnë 60 milionë euro kartonin e kolumbianit, ndërsa Juventusi është gati të shkojë deri në 35 milionë euro dhe pjesën tjetër ta kompensojë me futbollistë të tjerë në këmbim.

Nëse nuk arrihet të Zapata, plani B është sulmuesi polak i Napolit, Arkadiuz Milik, i cili ka refuzuar rinovimin dhe ka prishur marrëdhëniet me klubin e De Laurentiis, ndaj pritet të largohet këtë verë për të mos ikur me parametra zero vitin e ardhshëm.

Milik është edhe më i lehtë për t’u transferuar, pasi Napoli ka një vlerësim prej 40 milionë eurosh për të dhe është gati të pranojë përveç parave, edhe përfshirjen e ndonjë futbollisti si Bernardeschi në këmbim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat