I kënaqur me debutimin të Shkëndija - Bota Sot
I kënaqur me debutimin të Shkëndija

Futboll

I kënaqur me debutimin të Shkëndija

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 12:00
Doriev

Sulmuesi anësorë vlerëson se kuqezinjtë së shpejti do të jenë në lartësinë e duhur, ndërsa beson se Shkëndija ka shanset e saj në raundin e parë të Europa League.

Me vetëm një ndeshje zyrtare konfirmohet vlerë e shtuar në formacionin e Shkëndijës. Ljupço Doriev shkëlqeu të dielën në transfertën me Shkupin, kur ishte figura qendrore e barazimit 2:2 me një gol dhe asist. Më mirë se kaq do të ishte vetëm kuqezinjtë të merrnin tre pikët.


“Pa kurfarë hamendje i kisha falur golin dhe asistin në këmbim të tre pikëve nga dueli me Shkupin. Fatkeqësisht, duke parë mënyrën si shkuan gjërat barazimi nuk është keq, por realisht ne ishim afër përmbysjes dhe mendoj se e merituam atë. Sigurisht se efekti personal më motivon, ishte ndeshja e parë dhe pres më shumë në vazhdim. Besoj se ekipi shpejt do të jetë në lartësinë e duhur”, shprehet sulmuesi i Shkëndijës, Ljupço Doriev. Me përshtypjet e ndeshjes së parë kampionale me fanellën kuqezi, sulmuesi i krahut komenton shortin për raundin e parë eliminator të UEFA Europa League.

Shkëndija do të jetë mysafire e Sumgayit City FC nga Azerbajxhani në ndeshjen teke që do të luhet këtë vit shkaku i pandemisë me COVID-19.
“Në eliminatoret e Kupave të Europës nuk mund të presim kundërshtarë të lehtë dhe Sumgayit nuk është aspak skuadër naive. Europën e siguruan përmes renditjes së tyre në kampionat dhe pa dyshim se posedojnë cilësi. Këtë vit luhet vetëm një ndeshje dhe ne do jemi mysafirë, por besoj se mund ta kompensojmë këtë nëse do të jemi në lartësinë e duhur. Nuk do ta kemi aspak të lehtë, por besoj në kualifikim”, përfundoi Doriev. Ndeshja e Europës do të luhet më 27 gusht dhe kuqezinjtë momentalisht vëmendjen e mbajnë te ndeshja e rradhës kampionale të dielën në Tetovë ndaj Struga Trim&Lum.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat