Ferdinand: Lewandowskit po i bëjnë mizori

Futboll

Ferdinand: Lewandowskit po i bëjnë mizori

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 13:50
Ferdinand: Lewandowskit po i bëjnë mizori

“France Football njoftoi muajin e kaluar se kishte anuluar dhënien e çmimit të “Topit të Artë” për këtë vit, duke e arsyetuar këtë vendim me “mospërmbushjen e kushteve të mjaftueshme” si rezultat i pandemisë së Koronavirusit. Menjëherë nisën reagimet për padrejtësinë që po i bëhej Robert Lewandowskit, i cili ka shënuar 53 gola në të gjitha garat këtë sezon për Bayernin. 13 finalizime i ka regjistruar vetëm në Champions League (sonte Bayerni përplaset me Barcelonën në çerekfinale).

Rio Ferdinand, ish-mbrojtësi i Manchester United dhe i përfaqësueses së “Tre Luanëve”, është kundër vendimin të “France Football” dhe e shtyn sulmuesin polak të nisë nënshkrimin e një peticioni, që ky çmim individual të akordohet si çdo vit. Ferdinand është i bindur që Lewandowski meriton të shpërblehet për performancën e jashtëzakonshme që ka dhuruar këtë sezon.

“Nëse do të isha Lewandowski, do të nisja një peticion për ta ndryshuar qëndrimin e “France Football.” Përveç vitit kur e mori Luka Modric, Messi dhe Ronaldo kanë mbizotëruar në garën për këtë çmim për 12 vitet e fundit. Lewandowski ka qenë në një nivel tjetër këtë sezon. Nuk mund ta besoj se e kanë anuluar. Është mizore, kjo është fjala e duhur për ta përshkruar. Lewandowski meriton ta fitojë atë çmim për atë që ka bërë këtë sezon. Nëse e udhëheq Bayernin drejt suksesit në Champions League dhe sërish nuk ia japin, nuk do të ishte e drejtë.

Për atë që përfaqëson ky çmim për historinë e lojës, mendoj se është turp që ata e kanë hequr për këtë vit.

Pse nuk mund ta japin çmimin, edhe nëse nuk do të ketë një ceremoni gala, siç bëjnë zakonisht? Unë mendoj se nuk shkon kështu.”

Topi i Artë është akorduar çdo vit, që kur u themelua për herë të parë në vitin 1956. Rekordin e mban Lionel Messi me gjashtë çmime të fituara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat