Malësia në festë! Ilir Camaj tregon se si e mposhtën Buduçnostin në hapje të Kampionatit në Mal të Zi

Futboll

Malësia në festë! Ilir Camaj tregon se si e mposhtën Buduçnostin në hapje të Kampionatit në Mal të Zi

Nga: Kemajl Goca Më: 15 gusht 2020 Në ora: 16:56
Ilir Camaj tregon se si e mposhtën Buduçnostin në hapje të Kampionatit në Mal të Zi

Më bukur nuk ka qysh! Skuadra shqiptare e futbollit Deçiq nga Tuzi e fillon me fitore Kampionatin e Malit të Zi. Një nismë e ëmbël sikur mjaltë!  

Deçiq ka shënuar fitore me rezultat 2:0 kundër kampionit Buduçnosti nga Podgorica, në kuadër të javës së parë. 

Futbollistët Ilir Camaj dhe Kristijan Vulaj janë trimat e fitores, duke shënuar në minutën e 33-të përkatësisht në atë të 69-tën. Të gjithë futbollistët meritojnë notë më shumë se dhejtëshe për angazhim dhe lojë të madhe.

Image

Ilir Camaj feston

Fitore që ka bërë jehonë jo vetëm në Mal të Zi. Malësia në festë dhe krenarë me djemtë e Deçiqit.

Deçiqi është rikthyer në elitë dhe në start e shkatërron kampionin. Pak kush e kishte besuar se do ta fitonin sfidën ndaj Buduçnostit e cila u luajt në stadiumin e Komit në Podgoricë, pasi që fusha në Tuz ende nuk është gati.

Image

Nga mediat malazeze, Buduçnosti hiqej si favorit i madh. Favoritë në letër po por jo edhe në fushë, për faktin se skuadra shqiptare ka luajtur me zemër dhe treguan cilësi, duke fituar tri pikë të rëndësishme në hapje të edicionit të ri.

Image

Ilir Camaj e Kristijan Vulaj

Sulmuesi Ilir Camaj tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, se është një fitore shumë e vlefshme dhe plotësisht e merituar.    

“Bota sot”: Ilir, fitorja e Deçiqit ka bërë jehonë me golin tuaj dhe të Kristijan Vulajt, a e keni pritur ndaj një rivalit të fortë, siç është kampioni Buduçnosti?
Ilir Camaj:
Të them të vërtetën nuk është se nuk e kemi pritur, sepse kemi punuar shumë dhe jemi ne formën e duhur për fillim të kampionatit, dhe arritëm që unë dhe Kristijani t’i asistojmë njeri - tjetrit tek golat e shënuara.

“Bota sot”: Ku ishte forca kryesore e Deçiqit, ku dalluat në lojë?
Ilir Camaj:
Mund të them se forca ka qenë krejt ekipi, të gjithë jemi vendosur shkëlqyeshëm, të gjithë kemi luftuar në maksimum dhe mund të them që kemi arritur fitore me meritë.

“Bota sot”: Deçiqi për herë të parë luan nën dritat e reflektorëve në Tuz, a është një ndjenjë më ndryshe?
Ilir Camaj:
Kemi luajtur në stadiumin e Komit të Podgoricës për arsye se reflektorët nuk ishin gati për ndeshjen e djeshme.

“Bota sot”: Çfarë iu premton Ilir Camaj tifozëve?
Ilir Camaj:
Unë premtoj se do të luaj me zemër dhe do të jap maksimumin për ekipin tim, vendin e vet dhe për Malësinë dhe dhashtë Zoti me sa më shumë fitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat