Fundi i një epoke për Messin dhe Ronaldon dhe heronjtë të rinj

Futboll

Fundi i një epoke për Messin dhe Ronaldon dhe heronjtë të rinj

Më: 15 gusht 2020 Në ora: 17:49
Fundi i një epoke për Messin dhe Ronaldonn dhe heronjtë të rinj

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi e kanë dominuar garën në Ligën e Kampionëve gjatë dekadës së fundit, mirëpo tani, për herë të parë në 15 vjet, asnjëri prej tyre nuk do të luajë në gjysmëfinalet e garës më prestigjioze evropiane.

Sulmuesi portugez e ka fituar pesë herë trofeun e Ligës së Kampionëve, ndërsa argjentinas e ka arritur këtë trofe katër herë. Megjithatë, tani që ata po i afrohen fundit të karrierës, duket se epoka e dominimit po merr fund, shkruan Marca.

Edhe Cristiano Ronaldo e edhe Lionel Messi kanë rekorde mbresëlënëse si golashënues në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi i Juventusit ka qenë golashënuesi më i mirë në këtë garë shtatë herë, ndërsa kapiteni i Barcelonës gjashtë herë.

I vetmi lojtar që u afrohet këtyre të dyve është Gerd Muller, i cili kishte qenë golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve në katër sezone të ndryshme.

Messi dhe Ronaldo kanë qenë vendimtarë me golat e tyre edhe në finalet e Ligës së Kampionëve, kur Messi i ka dy gola, ndërsa Ronaldo katër.

Në përgjithësi, ata të dy së bashku i kanë regjistruar 245 paraqitje në Ligën e Kampionëve, në të cilat më shumë paraqitje ka Ronaldo, i cili regjistron 130 gola dhe 38 asiste, ndërsa Messi i ka shënuar 115 dhe i ka asistuar 33 gola të tjera.

Përkundër që të dy morën pjesë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, as Messi e as Cristiano nuk kanë arritur ta dëshmojnë veten ashtu siç do të kishin dashur, me nga tri dhe katër gola të shënuara respektivisht.

Për momentin, golashënuesi më i mirë në këtë edicion të Ligës së Kampionëve është Robert Lewandowski i Bayernit, që ka kontribuar me 14 gola në tetë ndeshje.

Në moshën 35-vjeçare, Cristiano e ka kuptuar se s’e ka të lehtë ta fitojë këtë garë larg Real Madridi dhe, përkundër paraqitjeve të tij të mira, ai s’ka arritur t’i përsëritë sukseset historike që i kishte arritur me klubin spanjoll në këtë garë prestigjioze të Evropës.

Ndërsa, 33-vjeçari nuk arriti t’i japë fund ecurisë prej pesë vjetësh pa titullin e Ligës së Kampionëve, të cilin Barcelona e kishte fituar gjatë kohës sa Pep Guardiola ishte ende pjesë e skuadrës.

Heronjtë e rinj

Përderisa Ronaldo dhe Messi po i afrohen fundit të karrierës së tyre, lojtarë të tjerë të rinj e të talentuar janë në qendër të vëmendjes, përfshirë këtu Erling Haalandin, Kylian Mbappen, Raheem Sterlingun e Joao Felixin, që synojnë ta zëvendësojnë dyshen ikonike në botën e futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat