Arthur: Të luash me Ronaldon është një ëndërr

Futboll

Arthur: Të luash me Ronaldon është një ëndërr

Më: 2 shtator 2020 Në ora: 16:34
Arthur: Të luash me Ronaldon është një ëndërr

Mesfushori brazilian Arthur është më në fund një futbollist i Juventusit dhe pasditen e sotme ka bërë edhe prezantimin zyrtar me bardhezinjtë, duke dhënë edhe konferencën e parë për shtyp për mediat italiane.

I ardhur nga Barcelona, në një operacion që çoi boshnjakun Miralem Pjaniç në “Camp Nou”, Arthur u shpreh mjaft i lumtur që tani do të jetë pjesë e bardhezinjve dhe do të luajë në krah të Cristiano Ronaldos.

“Juventusi është një histori unike dhe po provoj emocione të mëdha, ndaj jam gati të bëj maksimumin. Kam kënaqësinë që të luaj me futbollistë të mëdhenj dhe të jem shok skuadre me Cristiano Ronaldon është realizimi i një ëndrre. Projekti i klubit më ka bindur menjëherë dhe do të punojmë shumë për të arritur objektivat, ku natyrisht që prioritet do të jetë Liga e Kampionëve”, u shpreh braziliani.

Arthur është mesfushor, ashtu si edhe trajneri i tij te Juventusi Andrea Pirlo, ndërsa në konferencën për shtyp të ditës së sotme braziliani pranoi se nuk ka folur ende me teknikun për rolin që do të ketë në fushë.

“Akoma nuk kam folur me detaje me Pirlon, por kam fatin që do të luaj për një trajner që ka luajtur pikërisht si mesfushor dhe ka pasur një mënyrë unike të të lëvizurit në fushë. Te Brazili kam luajtur pak ndryshe nga pozicioni që kisha te Barcelona. Nuk e di çfarë do të bëj saktësisht te Juve, por mund të luaj në çdo pozicion të mesfushës dhe me çdo lloj rreshtimi, ndaj nuk mendoj se do kemi probleme të kësaj natyre”, deklaroi Arthur.

Pas mesfushorit brazilian, në Torino mund të vijë një tjetër futbollist nga Katalunja. Bëhet fjalë për sulmuesin uruguaian Suarez, i cili është në orët e fundit të eksperiencës te Barcelona, por Arthur shmang pyetjet mbi ish shokun e tij të skuadrës.

“Nuk kam folur me Suarez kohët e fundit dhe nuk e di si është situata, ndaj më mirë të pyesni drejtuesit për këtë. Nëse do të vinte, sigurisht që do të ishte një vlerë e shtuar, pasi të gjithë i dinë cilësitë e tij”, deklaroi mesfushori brazilian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat