Alioski: Kosova të na respektojë sepse...

Futboll

Alioski: Kosova të na respektojë sepse...

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 11:10
Alioski: Kosova të na respektojë sepse...

Një nga futbollistët më të mirë te Maqedonia e Veriut, shqiptari Ezgjan Alioski ka thënë se ka respekt të madh për përfaqësuesen e Kosovës. Mirëpo, ai ka shtuar se me Maqedoninë e Veriut synon të kualifikohet në Kampionatin Evropian “Euro 2020”, që është shtyrë për vitin e ardhshëm shkaku i pandemisë COVID-19.

Maqedonia e Veriut do ta presë Kosovën më 8 tetor në Shkup, në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit të edicionit të parë të Ligës së Kombeve. Fituesi i këtij dueli do të luajë në finale më 12 nëntor kundër fituesit të gjysmëfinales tjetër ndërmjet Bjellorusisë e Gjeorgjisë për një vend në “Euro 2020”. Alioski, që është lojtar i Leeds Unitedit, ekip që është rikthyer në Premier League për edicionin e ri, në një intervistë të mërkurën për mediumet maqedonase ka kërkuar që të mos përfshihet politika në ndeshjen me Kosovën.

“Dëshira ka qenë që me Leedsin të ngjitemi në Premier League, synim të cilin e arritëm dhe tash më mbetet të shkoj në Evropian me Maqedoninë e Veriut. Në ndeshjen kundër Kosovës do të jap maksimumin nga vetja. Synimi im është që me Maqedoninë e Veriut të arrij diçka historike, siç është kualifikimi në Evropianin që mbahet vitin tjetër. Kemi gjasa të mira për kualifikim në këtë ngjarje”, është shprehur Alioski për televizionin shqiptar TV Shenja.

Alioski është vetëm një nga pesë futbollistët shqiptarë që rregullisht ftohet te Maqedonia e Veriut. Pjesë e ekipit janë edhe Enis Bardhi, Arijan Ademi, Visar Musliu e Egzon Bejtullai.

“Nuk duhet të dëgjojmë se çfarë thonë të tjerët. Është ndeshje që duhet disiplinë dhe respekt. I respektojmë, por edhe ata duhet të na respektojnë neve, sepse është vetëm sport, nuk luajmë për politikën që ka ndodhur para shumë vitesh.

Edhe Maqedonia e Veriut ka shumë shqiptarë, nuk ka lidhje se kush do të shkojë në fund në Evropian, le të shkojë më i miri”, ka insistuar Alioski.

Maqedonia para se të luajë ndaj Kosovës, të shtunën, në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve do ta presë në Shkup përfaqësuesen e Armenisë, derisa tri ditë më vonë do të luajë në udhëtim ndaj Gjeorgjisë. Për këto dy ndeshje, seleksionuesi Igor Angelovski ka ftuar pesë futbollistët shqiptarë: Alioskin, Musliun, Bejtullain, Bardhin dhe Ademin. Krahas Musliut, edhe qendërmbrojtësi Visar Musliu synon sukseset me fanellën e Maqedonisë së Veriut, ndonëse më shumë është fokusuar tek dy përballjet e këtij muaji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat