Messi gati të bëjë kthesën e madhe

Futboll

Messi gati të bëjë kthesën e madhe

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 12:51
Messi gati të bëjë kthesën e madhe

Situata bëhet gjithnjë e më komplikuar për Messin që nuk gjeti një akord në përballjen e të së mërkurës mes babait të tij dhe presidentit Bartomeu, ndërsa tani koha shtrëngon, pasi impenjimet e para zyrtare të sezonit të ri po afrojnë dhe opsionet reduktohen. Për këtë arsye, panorama e çështjes më të bujshme të verës së merkatos, ashtu si edhe synimet e argjentinasit, rrezikon të ndryshojë në mënyrë drastike.

Këtë të paktën bëjnë të ditur nga Argjentina, ku gjatë natës është diskutuar mbi mundësinë e një prapakthehu të bujshëm: Messi po mendon seriozisht të heqë dorë nga transferimi dhe të qëndrojë edhe për një vit te Barcelona, duke pranuar kërkesën e numrit një të klubit “blaugrana”.

Stoicizmi i Bartomeut që vazhdon të pretendojë 700 milionë eurot e klauzolës së largimit, kërcënimet për një betejë ligjore që tremb çdo blerës të mundshëm (përfshirë Manchester City-n) dhe kohët e reduktuara të manovrës, po vënë me shpatulla pas muri yllin argjentinas.

Messi me kalimin e orëve po i dorëzohet idesë për të qëndruar në Barcelonë deri në qershorin e 2021-shit, në mënyrë që të lirohet me kosto zero dhe të paktën të provojë ta mbyllë në mënyrë të bukur aventurën e tij mbi 20-vjeçare me klubin “blaugrana”.

Siç bëjnë të ditura burime nga Argjentina, Messi po bindet se qëndrimi në Katalunjë përfaqëson opsionin më të thjeshtë dhe më pak të dhimbshëm. Mungesa e qartësisë për një përballje eventuale në gjyq, e vetmja rrugëdalje përballë kërkesës se Barcelonës që deri dje ka kërcënuar të denoncojë si futbollistin ashtu dhe klubin e tij të ardhshëm, përfaqëson një rrezik shumë të lartë, dhe për këtë arsye Messit mund t’i leverdisë të heqë dorë.

“TyC Sports” në Argjentinë bën të ditur se situata mund të zhbllokohet shpejt nëpërmjet një takimi tjetër ballë për ballë me Bartomeun, pasi Messi është i vendosur që çështja të zgjidhet brenda javës. Por ndërkohë në lojën e nervave të tipit “tërhiq e mos këput” rrezikon dhe një gjobë të kripur që mund të vendosë Barcelona për mungesat e zgjatura që konsiderohen si thyerje të rënda të kontratës.

Ka edhe nga ata që këmbëngulin se Messi është gjithnjë e më i vendosur për të luftuar, duke vlerësuar dhe mundësinë për të qëndruar te Barça si një i divorcuar në shtëpi, diçka që do të thoshte të qëndronte një vit pa luajtur, por në këtë rast ylli argjentinas do të paguante një çmim të lartë si në aspektin sportiv, pasi është një ndalesë e gjatë për një lojtar që është në pragun e 34 viteve, ashtu edhe ekonomik, pasi do t’i jepte Barcelonës mundësinë për pezullimin total të pagës. Çështja bëhet gjithnjë e më e komplikuar dhe koha këtë herë, nuk luan në favor të Messit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat