Alioski flet me respekt të madh për Kosovën, por kërkon kualifikimin me Maqedoninë e Veriut

Futboll

Alioski flet me respekt të madh për Kosovën, por kërkon kualifikimin me Maqedoninë e Veriut

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 14:12
Foto Ilustrim

Sulmuesi anësor i Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, ka folur me respekt të madh për Kosovën.

Edhe pse ka respekt të madh për Kosovën, ai me Maqedoninë e Veriut synon të kualifikohet në Kampionatin Evropian, që është shtyrë për një vit shkaku i pandemisë.

Maqedonia e Veriut do ta presë Kosovën më 8 tetor në Shkup, në ndeshjen gjysmëfinale të play-off të edicionit të parë të Ligës së Kombeve.

Fituesi i këtij dueli do të luajë në finale më 12 nëntor kundër fituesit të gjysmëfinales tjetër ndërmjet Bjellorusisë e Gjeorgjisë për një vend në “Euro 2020”.

Alioski, që është lojtar i Leeds Unitedit, ka ndihmuat ekipin e tij që të rikthehet në Ligën Premier.

“Dëshira ka qenë që me Leedsin të ngjitemi në Ligën Premier, synim të cilin e arritëm dhe tash më mbetet të shkoj në Evropian me Maqedoninë e Veriut. Në ndeshjen kundër Kosovës do të jap maksimumin nga vetja. Synimi im është që me Maqedoninë e Veriut të arrij diçka historike, siç është kualifikimi në Evropianin që mbahet vitin tjetër. Kemi gjasa të mira për kualifikim në këtë ngjarje”, ka thënë Alioski për “TV Shenja”.

Alioski është vetëm një nga pesë futbollistët shqiptarë që rregullisht ftohet te Maqedonia e Veriut.

Pjesë e ekipit janë edhe Enis Bardhi, Arijan Ademi, Visar Musliu e Egzon Bejtullai.

“Nuk duhet të dëgjojmë se çfarë thonë të tjerët. Është ndeshje që duhet disiplinë dhe respekt. I respektojmë, por edhe ata duhet të na respektojnë neve, sepse është vetëm sport, nuk luajmë për politikën që ka ndodhur para shumë vitesh. Edhe Maqedonia e Veriut ka shumë shqiptarë, nuk ka lidhje se kush do të shkojë në fund në Evropian, le të shkojë më i miri”, përfundoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat