Pa shitje nuk ka blerje të reja

Futboll

Pa shitje nuk ka blerje të reja

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 16:02
Pa shitje nuk ka blerje të reja

Drejtuesit e Interit dhe Antonio Conte kanë një strategji të qartë merkatoje, por para se të kalohet te blerjet e reja, skuadra duhet të pastrohet nga futbollistët që nuk bëjnë më pjesë në planet për të ardhmen.

Pikërisht këta të fundit po mbajnë pezull merkaton e klubit zikaltër, pasi emra si Perisic, Joao Mario, Dalbert, Skriniar, Brozoviç, Gagliardini, Nainggolan e Vecino nuk bëjnë më pjesë në planet e Contes, por deri tani ofertat në drejtim të tyre mungojnë ose janë tepër të ulëta.

Kështu për sulmuesin anësor kroat, Bayerni i Mynihut nuk ofron më shumë se 12 milionë euro, ndërsa Interi ka vënë një çmim dysheme prej 15 milionë eurosh. Situatë e ngjashme është edhe me portugezin Joao Mario, pasi disa klube interesohen për shërbimet e tij, por ofertat janë shumë larg pritshmërive të zikaltërve.

Mungojnë fare momentalisht ofertat për emra si Gagliardini, Skriniar e Nainggolan, me këtë të fundit që kërkohet nga shumë klube italiane, por vetëm në formë huazimi, pasi askush nuk është gati të kënaqë pretendimet e Interit.

Të ndodhur në këtë situatë, Marotta dhe Ausilio po punojnë veçanërisht për operacionet në dalje dhe kanë lënë pezull për momentin operacione si ai për transferimin e mesfushorit N’golo Kante apo mbrojtësve Marash Kumbulla e Emerson Palmeiri.

Është kjo edhe arsyeja që ditët e fundit merkatoja në hyrje është përqendruar te emra si Kolarov, që erdhi për vetëm 1.5 milionë euro apo Vidal, që pritet të vijë me parametra zero gjatë ditëve të ardhshme.

Kjo pasi aktualisht në organikën e Contes janë rreth 27 futbollistë, pa përfshirë këtu emrat që vijnë nga ekipi i të rinjve dhe për të afruar futbollistët që kërkon trajneri, duhet që më parë të tjerë të largohen e të lirojnë vend.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat