Lajm si bombë, shqiptari i Kosovës firmos për 7.2 milionë euro

Futboll

Lajm si bombë, shqiptari i Kosovës firmos për 7.2 milionë euro

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 00:18
Ismajli

Një tjetër lojtar i Kombëtares shqiptare në Serinë A. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mbrojtësi 23-vjeçar, futbollisti nga Kosova Ardian Ismajli, ka arritur marrëveshjen me klubin e sapongjitur në elitën italiane, Specia. Lajmin e bën të ditur për gazetën edhe vetë menaxheri i lojtarit, Erkan Sulejmani.

“Po, është e vërtetë. Pas tri ditësh diskutime, më në fund vendosëm që Ardiani të shkojë te Specia. Ishim në negociata edhe me Beneventon, por Specia bindi për ofertën edhe klubin e Hajduk Split që ka kartonin”, ka thënë menaxheri i mirënjohur, i cili një dekadë më parë ka qenë futbollist i Vllaznisë dhe Kastriotit në kampionatin shqiptar, ndërsa tashmë është një agjenti që operon kryesisht në Francë. Ai ka në menaxhim edhe mesfushorin e Kombëtares franceze, Thomas Lemar, i cili luan te Atletiko Madrid.

Ndërkohë, gazeta zbulon gjithashtu se në total transferimi i Ismajlit ka shkuar 7.2 milionë euro. Plot 3 milionë euro do të arkëtojë Hajduk Spliti nga shitja e futbollistit të Shqipërisë, ndërsa vetë Ismajli ka firmosur për 4 vite. Në total ai do të përfitojë në këto katër sezone si pjesë e Specias 4.2 milionë euro. Pra, në një sezon merr diçka më shumë se 1 milionë euro.

Një kalim i bujshëm i qendërmbrojtësit, i cili deri më tani ka vetëm tre skuadra në karrierë: KF 2 Korriku, Prishtina dhe Hajduk Split. Nga transferimi te kroatët ai fitoi edhe ftesën në Kombëtaren shqiptare, duke u bërë shumë shpejt titullar, ndërsa tashmë bën një hap galopant drejt Italisë.

Prezantimi i Ismajlit te Specia do të bëhet në ditët në vijim, por kjo do të varet edhe nga trajneri Reja. Nëse lojtari riaftësohet për ndeshjen me Lituaninë më 7 shtator, atëherë do të shtyjë për pak ditë prezantimin te italianët. Kujtojmë që Ismajli nuk ka udhëtuar me kuqezinjtë drejt Bjellorusisë, pasi ka pësuar një dëmtim dhe kjo ia bëri të pamundur aktivizimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat