E konfirmon presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Xhiroja e parë në Superligë zhvillohet, do të jetë testuese

Futboll

E konfirmon presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Xhiroja e parë në Superligë zhvillohet, do të jetë testuese

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 14:18
Agim Ademi

Superliga e Kosovës do të fillojë ditën e sotme edhe pse Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një vendim përfundimtar.

Gjithsesi kur kemi parasysh që numrat e të infektuarve me Covid-19 kanë rënë ndjeshëm dhe futbolli po zhvillohet në gjitha shtetet evropiane, nuk ka kuptim që mos të fillojë edhe në Kosovë.

Xhiroja e parë në Superligë do të startojë sot në Mitrovicë, ku Trepça ’89 do të pres ekipin debutues Arbërinë.

Kjo xhiro do të jetë testuese, pasi ende nuk ka një vendim përfundimtar nga institucionet shtetërore.

Telegrafi ka kontaktuar të parin e futbollit kosovar, Agim Ademin i cili ka konfirmuar se Superliga do të luhet.

“Po, sot do të fillojë edicioni i ri në Superligë dhe do të jetë një xhiro testuese, pasi ende jemi në pritje të vendimit nga qeveria dhe ministria”, ka deklaruar shkurtimisht Ademi.

Kuptohet kjo xhiro do të luhet pa praninë e tifozëve për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

Kosova mbetet njëri nga kampionatet e fundit në rajon që do të nis të luhet futbolli, pasi vetëm në Shqipëri nuk ka startuar ende (për shkak të bojkotit të klubeve shqiptare).

Futbolli është një nga sportet më të dashura dhe më të popullarizuara në Kosovë, teksa janë mijëra futbollistë nga ekipet seniore deri në kategoritë e reja që merren me këtë sport.

Shpresojmë në një vendim të qeverisë që të lejohet zhvillimi normal i futbollit në Kosovë dhe sa më shpejtë të hapen pjesërisht edhe stadiumet si në vendet tjera evropiane.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat